Topi i quajti mediokër, Tagani: Nisi fushatën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2012 | 13:50

Topi i quajti mediokër, Tagani: Nisi fushatën

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, e ka kritikuar ashpër menaxhimin e klubit të Tiranës duke thënë se politika po ndërhyn keq dhe po keqpërdor emrin e madh të bardhebluve. Ai ka bërë apel për reflektim, pasi me drejtues të cilët i ka quajtur amatorë, Tirana rrezikon të përfundojë si Partizani. “Prej kohësh nuk shkoj në stadium, sepse përveçse nuk ka kualitet, nuk shoh më as vizion për të ardhmen. Politika po penetron dhe po shkatërron substancën dhe filozofinë e futbollit, – ka thënë Topi në emisionin ‘Skaner’ në televizionin “Albanianscreen’ – Unë kam qenë dhe jam tifoz i Tiranës. E kam ndjekur atë si sportdashës dhe kam qenë edhe president i këtij klubi. Kjo lidhet me një lloj afeksioni njerëzor dhe unë jam njeri sportdashës. E njoh mirë jo vetëm traditën e Tiranës në futboll, por edhe të ekipeve të tjera të kryeqytetit. Unë mund t’ju them me bindje se e njoh futbollin shqiptar”.
Kritikat Ish-kreu i shtetit dhe njëherazi ish-presidenti i klubit bardheblu ka lëshuar kritika të forta në adresë të drejtuesve të skuadrës. “Nuk mendoj se Tirana sot po vuan vetëm prej problemeve financiare. Me keqardhje, por unë sot shoh një tendencë të politikës për të futur hundët aty ku nuk duhet t’i fusë. Mendoj se këto tendenca janë empirike dhe deri diku edhe primitive. Po ju jap një shembull të historisë së Tiranës futbollistike. Kur vlerësova disa figura të nderuara të historisë së kësaj skuadre, madje edhe vetë klubin me urdhrin ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’, administratori nuk erdhi të tërhiqte titullin. Kishte frikë ta tërhiqte atë. Kjo ishte për të ardhur keq”, ka shtuar Topi.
Rreziku Më tej, ai ka bërë apel për reflektim dhe për një menaxhim më të mirë, sepse Tirana rrezikon vërtet që të precipitojë në nivele të ulëta. “Shikoni, Tirana është histori, është aktualitet, është traditë. Unë nuk po flas tani si politikan, por si një njeri që e njeh dhe e do sportin. E pranoj që Partizanin e kam parë si një rival tradicional, por kam shprehur edhe keqardhjen time për gjendjen në të cilën ndodhet kjo skuadër. Njerëzit sot kanë të drejtën e Zotit të revoltohen, sepse ata nuk mund të pranojnë të rrinë në shi e në të ftohtë për të parë diçka që nuk shkon. Të luash me emocionet, pavarësisht nëse e ndjek në TV apo në stadium, do të thotë të marrësh mbi vete edhe barrën e ndëshkimit kur nuk e bën si duhet detyrën. Unë besoj se njerëzit e kanë në zemër Tiranën, le t’u bëjnë thirrje atyre që menaxhojnë Tiranën. Nuk duhet të precipitojë situata si me Partizanin. Njerëzit duhet të mendojnë në mënyrë të hapur dhe sportive. Politika nuk duhet t’i përkthejë interesat e veta në sport për terrenet sportive, apo për përfitime elektorale. Unë e them këtë si qytetar i Tiranës, sepse kam të drejtën morale t’i them gjërat siç janë. Ne kemi njohur politikanë që nuk e dinë se ç’është fusha dhe vijnë për ekzibicion në stadium. Politika duhet të dijë ta vlerësojë sportin. Kush luan me emocionet e një mase të madhe njerëzish duhet të marrë edhe ndëshkimin moral. Do të kthehem tek Tirana kur gjërat të trajtohen ndershëm. Nuk mund të jem në stadium ku ka disa drejtues mediokër, të cilët në vend të kënaqësisë të japin shqetësim. Shumë miq të mi nuk e ndjekim më Tiranën. Do ishte turp që Tirana të precipitojë në nivele të ulëta. Jam tifoz i një sporti fisnik, por kur marrin trajtën e parave dhe misioni merr trajtë pazaresh, atëherë nuk kam si e ndjek skuadrën”, është shprehur ish-presidenti i Shqipërisë.

Klubi, me sytë nga FIFA
Ngërçi vazhdon dhe presioni i FIFA-s kundër Tiranës vjen në rritje, duke qenë se afati për shlyerjen e borxheve afrohet. Kameron Heples dhe Xherri Santos kanë fituar gjyqin dhe tashmë bardhebluve s’u mbetet gjë tjetër veçse t’i shlyejnë. I pari ka fituar të drejtën për të marrë 68 mijë dollarë, ndërsa i dyti 35 mijë dollarë. Klubi del totalisht kundër këtyre vendimeve, madje administratori Tagani shkoi deri aty sa i cilësoi vendimet e FIFA-s të njëanshme. Ata janë duke studiuar dosjet, sidomos atë të Santosit, që e cilësojnë lojtar “fantazmë”, pasi nuk ka shkelur kurrë në Shqipëri. Pritet që vetë administratori të niset drejt Zvicrës për t’u marrë me këto probleme.

“Ja pse nuk shkova ta merrja dekoratën e Topit”
Ai nuk pranon assesi ta fusë veten dhe klubin bardheblu në një spirale politike. Sipas tij, Tirana nuk është ngatërruar gjatë kësaj kohe me politikë, edhe pse është e varur totalisht nga bashkia. Kështu u është përgjipozgjur në një farë mënyre administratori i KF Tirana, Salih Tagani, akuzave të një dite më parë të ish-presidentit të Shqipërisë, z.Bamir Topi. Ishkreu i shtetit i kritikoi ashpër drejtuesit aktualë të klubit bardheblu, aq sa e vuri në një vijë paralele Tiranën me KF Partizanin, i cili u shkatërrua në një farë mënyre pikërisht nga “pazaret” e politikës. Por, nuk e mendon kështu Tagani, që thekson se në vetëm pak kohë nën drejtimin e tij, KF Tirana është vënë në rrugën e duhur, atë të legjitimuar, ku çdo lojtar dhe nëpunës paguhet rregullisht dhe sigurohet gjithashtu nga klubi.
Deklarata – “Është totalisht politikë. Si duket, z.Topi e ka nisur që tani fushatën elektorale por, me një ndryshim të madh, se nuk mund të bëjë dot në kurriz të KF Tirana. Unë nuk jam njeri që i përkas politikës, por sportit. Edhe gjatë këtij viti, edhe pse klubi i Tiranës varet nga bashkia, jam mundur që të mos e përziej sportin me politikën. Kur erdha në fillim në klub gjeta një skuadër pa lojtarë. Një skuadër totalisht informale dhe të palegjitimuar. Vetëm punëtorët e fushës rezultonin në listë-pagesat e klubit të Tiranës, çka është një fakt dhe nuk mund të mohohet. Tani të gjithë futbollistët e Tiranës, dhe jo vetëm, janë në rregulla në bazë të ligjit. Paguhen nëpërmjet bankës dhe u njihen edhe sigurimet shoqërore. Kemi pasur probleme? Sigurisht që kemi pasur, por që të gjitha si derivat të asaj që trashëguam. E dini mirë sesa borxhe i janë lënë klubit kundrejt lojtarëve të ndryshëm nga paraardhësit, e megjithatë ne po mundohemi që të rregullojmë gjithçka”, – ka deklaruar Tagani.
Dekorata – Ndërkohë, administratori i Tiranës ka sqaruar edhe mungesën e tij në marrjen e urdhrit “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, dhënë nga ish-presidenti i Shqipërisë, z.Topi. Ky i fundit, në deklaratën e një dite më parë, e konsideroi si të turpshëm faktin se drejtuesit e Tiranës nuk kishin shkuar të merrnin dekoratën, vetëm se kjo e fundit jepej nga ai. “Ka një të vërtetë në atë që ka thënë z.Topi, që qëndron në faktin e dhënies së kësaj dekorate nga ana e ish-presidentit. Sakaq, ju sqaroj se unë jam telefonuar nga miq të mi të z.Topit dhe u pyeta nëse do të shkoja që ta merrja këtë dekoratë. Por fakti është se zyrtarisht në klubin e Tiranës nuk ka ardhur asnjë ftesë zyrtare nga ana e presidencës. Kontrolloni protokollin e presidencës. Kontrolloni protokollin e klubit të Tiranës dhe do të vëreni se nuk ka asnjë ftesë. Unë nuk ftohesha aty si Salih Tagani, por si përfaqësues i KF Tirana dhe, pikërisht për këtë arsye, duhet që të kishte pasur një komunikim shkresor mes presidentit dhe klubit. Bëhej fjalë për një ceremoni solemne, çka nuk mund të zgjidhej me një telefonatë: a do vish, apo jo, ta marrësh dekoratën?! Kjo s’ka kuptim. Unë nuk besoj se ka qenë kaq shumë e vështirë për presidencën që të bënin një ftesë të shkurtër, dy rreshta, ndaj edhe kjo akuzë e z.Topi, me keqardhje, por nuk qëndron”, – ka përfunduar Tagani.

Basha konfirmon: Tafaji, deri në fund të sezonit
Alban Tafaji do të jetë trajner i Tiranës deri në fund të sezonit. Konfirmimi ka ardhur dje nga kryebashkiaku i Tiranës, njëherësh edhe presidenti i klubit, Lulzim Basha. Ky i fundit ka pritur dje në një takim të shkurtër Tafajin duke e konfirmuar atë jo sikundër ishte vendosur më përpara deri në janar të 2013-ës por deri në fund të këtij sezoni. Sakaq mësohet se kryebashkiaku ka siguruar trajnerin se do ketë mbështetje maksimale nga ana e tij, ndaj skuadra, pas fitores në Shkodër duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm për të arritur titullin kampion. Kryebashkiaku ka siguruar klubin edhe për pjesën financiare, e cila nuk do të jetë asnjëherë problem për klubin bardheblu. Këtë javë Tirana pret Apoloninë, një ndeshje kjo që teorikisht pritet të jetë e lehtë për skuadrën që drejtohet tashmë nga Alban Tafaji.
LEONARD KARAJ       

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"