Toni Kros: Atletikon e mposhti Zidani, nuk e prisnim një rezultat të tillë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2017 | 15:33

Toni Kros: Atletikon e mposhti Zidani, nuk e prisnim një rezultat të tillë

Toni Kros e ka cilësuar si të papritur fitoren me një rezultat të tillë dhe beson se tashmë janë thuajse të kualifikuar. Mesfushori gjerman shpreh besim që do arrijnë të mbrojnë avantazhin edhe në transfertë, pasi vetëm një katastrofë mund të shkaktonte humbjen e Realit me të paktën tre gola diferencë. Ai ka analizuar edhe taktikisht duelin, duke i dhënë merita të mëdha Zinedin Zidanit, për mënyrën se si e zgjidhi duelin kundër Diego Simeones…

kros grizman

Një Real dominues dhe një mesfushë që bëri diferencën. E prisnit në këtë mënyrë?

Të jem i sinqertë, ne kishim besim të madh se do fitonim, por nuk besoj se ndonjëri prej nesh mendonte këtë rezultat. Ishte disi e papritur. Jemi përballur disa herë kundër Atletikos dhe e dimë që janë një ekip mjaft i fortë dhe mbi të gjitha të vështirë për t’u shënuar. Sot (dje) ne krijuam raste si asnjëherë më parë dhe i neutralizuam si duhet aksionet e tyre sulmuese.

Çfarë ndodhi që Atletiko dukej shumë larg nivelit që jemi mësuar ta shikojmë në përballjet e tjera?

Unë besoj se meritën kryesore e ka trajneri Zidan. Diferenca e ndeshjes u bë në mesin e fushës. Zakonisht ne luajmë me tre futbollistë, ku jam unë me Modriçin dhe Kasemiron. Këtë herë, tekniku ynë vendosi që të jemi katër, duke aktivizuar Iskon që alternohej në krah, ose në qendër. Kjo e bëri më të lehtë që të shkatërrojmë aksionet e tyre sulmuese dhe njëkohësisht të japim asiste për Ronaldon ose Benzemanë. Si rrallëherë, e patëm më të thjeshtë.

Ndryshoi gjë pas zëvendësimit të Iskos?

Disa minuta para se Zidan të nxirrte Iskon, Simeone forcoi qendrën e mesfushës me Gaitan dhe futi Torresin në sulm. Kur doli Isko, u fut Asensio dhe ne e kaluam forcën tonë sulmuese nga krahët, duke kaluar në modulin 4-3-3. Sërish arritëm të kemi më tepër hapësira, pasi kundërshtari ishte përqendruar më tepër në qendër. Gjithçka shkoi shkëlqyeshëm.

Ai që shënon vazhdon të jetë Ronaldo…

Kristiano di të bëjë diferencën në ndeshjet e rëndësishme dhe kjo tregon se sa eksperiencë ka. Është i pagabueshëm para portës dhe arriti të na sigurojë një fitore që na afron me kualifikimin në finale. Vetëm një katastrofë do na eliminonte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"