“Tomorin ma këshilloi Bano”, Mezini snobon Lushnjën dhe shpreh bindje për ngjitjen në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2020 | 22:01

“Tomorin ma këshilloi Bano”, Mezini snobon Lushnjën dhe shpreh bindje për ngjitjen në Superiore

Armando Mezini, një nga afrimet e Tomorit, u bë çështje me kalimin e tij në Berat, pasi sulmuesi 28- vjeçar kishte firmosur më parë me Lushnjën. Në intervistën e parë për “Panorama Sport” si lojtar i Tomorit ai flet për skuadrën e re, objektivat dhe rivalët, ku “snobon” ish-skuadrën e tij, Lushnjën.

armando mezini

Armando, një kalim mes polemikash nga Lushnja te Tomori. Cili është qëndrimi juaj për atë që ndodhi dhe deklaratat e trajnerit Gjyla?

Jam zyrtarisht pjesë e Tomorit, është zgjedhja ime me zemër. Kjo gjë fashit çdo hamendje dhe polemikë që ka pasur për qëllim të më ndalonte në këtë lëvizje. Jam futbollist profesionist, i lirë dhe i ndërgjegjshëm të shkoj atje ku ndihem më mirë, ku më respektojnë e më plotësojnë kushtet ekonomike. Kam disa eksperienca, nga Luzi 2008, Pogradeci, Shkumbini, Lushnja dhe tani Tomori.

Jeni një “koloni” lushnjarësh te Tomori tashmë…

Po, jemi një grup lushnjarësh dhe ndihemi mirë. Përveç meje, është Canka, Haremi, Ruço dhe Pepa, por presim dhe një tjetër.  Jemi të sigurt në përzgjedhjen e bërë. Jam këshilluar edhe nga një emër i njohur i futbollit lushnjar, si Artan Bano, për të ardhur këtu. Ai më ka thënë se Tomori ka një ambient të ngrohtë dhe shumë mikpritës.

Sa jeni përshtatur me skuadrën e re dhe si e vlerësoni punën e deritanishme te Tomori?

Sinqerisht, nuk e prisja të ambientohesha kaq shpejt. Gjithçka është fantastike në skuadër dhe ambientin përreth. Me kushtet që na rrethojnë, them se Berati është ambienti më ideal për një futbollist. Nga presidenti Demo kemi garanci financiare dhe akomodim të shkëlqyer, ndërsa donatori Gramoz Toto na ndjek çdo ditë në stërvitje. Ka shumë arsye të jem i lumtur dhe optimist për zgjedhjen e bërë.

Tomori

Sipas jush, çfarë mundësish ka Tomori në sezonin e ri dhe cilët janë rivalët e tij?

Vij nga një sezon te Lushnja, ku shënova 9 gola. Jam projektuar si qendërsulmues te Tomori dhe kam fatin të kem partner Mikel Cankën. Kam bindjen se do të shënoj më shumë për Tomorin, do ta kaloj shifrën e sezonit të kaluar. Te Tomori po kryhet një investim serioz dhe ka një trajner shumë punëtor dhe ambicioz si Bledar Sinella.

Jemi skuadër që kemi si objektiv ngjitjen në Superiore. Rivali ynë i drejtpërdrejtë do të jetë Flamurtari, asnjë tjetër. Shpresoj që Besa dhe Dinamo të jenë në Grupin e Veriut.

EDI SPAHIU  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"