Tomori zbret në fushë, administratori Ajazi: Ja plani për fazën përgatitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2021 | 18:59

Tomori zbret në fushë, administratori Ajazi: Ja plani për fazën përgatitore

Pritjes i erdhi fundi, Tomori sot do të nisë zyrtarisht përgatitjet. Prej orës 18:00 lojtarët do të zbarkojnë në stadium, për të kryer të parën seancë për këtë edicion. Pritet që të mos mungojnë tifozët, por edhe drejtuesit më të lartë të klubit. Për këta të fundit, këto ditë kanë qenë tejet intensive. Ata janë marrë me negociatat e rinovimeve për pjesë dërrmuese të titullarëve të vjetshëm, që shihen si boshti i kampionatit të ardhshëm. Për firma konkrete ende nuk mund të flitet, e megjithatë sot do të zbulohet diçka më tepër.

Tomori

Për “Panorama Sport”, administratori Ismet Ajazi thotë: “Shpresojmë shumë që puna e skuadrës të nisë sa më mbarë. Nga ana jonë si klub dhe me ndihmën maksimale të presidentit Ervin Demo, janë marrë të gjitha masat për një mbarëvajtje sa më pozitive të fazës përgatitore, por edhe në vazhdimësi pas nisjes së kampionatit. Kemi shumë besim te puna e teknikut Sinella dhe tek i gjithë grupi i futbollistëve.

Jemi një skuadër e klub serioz dhe do të përfaqësohemi sa më denjësisht në kampionatin e ardhshëm. Faza përgatitore do të nisë në Berat dhe skuadra do të ketë të gjitha kushtet e domosdoshme, ndërsa puna jonë si klub do të jetë e fokusuar jo vetëm me nënshkrimin e kontratave, por edhe për mirëmbajtjen e stadiumit, i cili gjatë këtij muaji do t’i nënshtrohet një sistemimi të gjithanshëm për të qenë brenda të gjitha kërkesave nga institucioni më i lartë i futbollit në vend”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"