Tomori vazhdon përforcimet në merkato, Bitri dhe Koleci gjejnë akordin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2017 | 18:50

Tomori vazhdon përforcimet në merkato, Bitri dhe Koleci gjejnë akordin

Tomori kryen goditjen e dyfishtë në këtë merkato. Tashmë është radha e qendërmbrojtësit Enea Bitri dhe mesfushorit Aristotel Koleci. Mbrojtësi vendës Bitri, gjatë seancës së djeshme stërvitore, ka qenë nën urdhrat e trajnerit Santiliano Dule. 20-vjeçari është larguar nga radhët e Tomorit në ditët e para të merkatos, ku ka pasur një ofertë nga Lushnja.

enea bitri

Mirëpo gjërat, me sa duket, nuk shkuan siç pritej. Vetëm pak ditë nga nisja e klubit lagunar për fazë përgatitore në Pogradec, të dyja palët kanë prishur me konsensus marrëdhëniet midis tyre. Në një prononcim për gazetën, Bitri ka thënë: “Kam mbyllur me konsensus kontratën me Lushnjën, të cilës dua t’i uroj suksese në elitë, pasi ka një grup të mirë lojtarësh dhe drejtuesish që kujdesen për të bërë më të mirën me ekipin e tyre.

Rikthimi im në vendlindje nuk ka qenë aspak i vështirë, pasi Tomori është klubi që unë kam hedhur hapat e mia dhe e adhuroj këtë fanellë. I kemi të gjitha mundësitë për të bërë hapin e madh drejt Kategorisë Superiore, pasi përfaqësohet nga një grup shumë i mirë lojtarësh, të cilët janë ndër më të mirët në këtë kategori”, tha Bitri.

aristotel koleci

Ndërkohë edhe futbollisti 24-vjeçar Koleci ka dalë në stërvitje me skuadrën, teksa në edicionin e fundit është aktivizuar në 19 takime të luajtura, duke shënuar edhe një gol ndaj Mamurrasit. Koleci ka qenë një nga protagonistët kryesor për ngjitjen e Kamzës në Superiore. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori Koleci u shpreh i lumtur për këtë aventurë të re, si dhe është i bindur për një sezon të suksesshëm me fanellën e beratasve.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"