Tomori u dogj, Artan Bano: Të kërkohet ndryshimi i formulës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2021 | 13:29

Tomori u dogj, Artan Bano: Të kërkohet ndryshimi i formulës

Përballja mes Kastriotit dhe Tomorit në ndeshjen shtesë të sezonit të kaluar, e zhvilluar në Kamzë, hapi shumë debate dhe u komentua gjatë jo vetëm në Berat.

artan bano

Në thelb të diskutimit ishte formula e këtij takimi shtesë për një biletë në Superiore. Mirëpo, zhvillimi i ndeshjes midis të tetës së Superiores dhe vendit të dytë të së Parës, dukej qartë se favorizonte dukshëm skuadrën pritëse. Ish-trajneri i njohur lushnjar, Artan Bano, ka komentuar për “Panorama Sport” mënyrën se si klubet e Kategorisë së Parë duhet të kërkojnë zyrtarisht ndryshimin e kësaj formule.

“Nga pozicioni i trajnerit dhe specialistit, më duhet të them fillimisht se formula që dërgoi në një finale për rënien ose ngjitjen në Superiore këto dy ekipe, ka qenë tërësisht e papranueshme. Zhvillimi i ndeshjes në fushën e skuadrës së Superiores, jo vetëm që është i padrejtë, por dhe penalizues për skuadrat e së Parës.

Unë shfaqa keqardhje për ish-skuadrën time, Tomorin, por të njëjtën ndjesi do të kisha për çdo ekip tjetër, pasi kjo formulë që është tërësisht një dështim. Skuadra e së Parës i vendos në kushte të pabarabarta dhe me një kundërshtar më shumë. Për të korrigjuar gabimin e sezonit të shkuar, unë mendoj se të gjitha klubet e Kategorisë së Parë duhet të kërkojnë nëpërmjet procedurës zyrtare ndryshimin e formulës.

Kjo, gjithnjë në rast se duan të mos digjen apo të privohen nga një garë e barabartë. Drejtuesit e klubeve duhet ta kërkojnë këtë kur shkojnë në Asamblenë e FSHF-së dhe jo të heshtin dhe vetëm të duartrokasin fjalimet. Unë jam i mendimit që ndeshjet shtesë të luhen në fushë asnjanëse ose me dy takime”, ka thënë Bano për “Panorama Sport”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"