Tomori sfidon Pogradecin, Canka sulmon kreun: Rrugë pa kthim, ngjitemi në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2021 | 12:58

Tomori sfidon Pogradecin, Canka sulmon kreun: Rrugë pa kthim, ngjitemi në Superiore

Në Berat janë gati për sulmin final. Të dielën nisin zyrtarisht fazën e tretë dhe kundërshtar do të kenë pikërisht Pogradecin. Qëllimi është i qartë, pikët e plota dhe blindimi i vendit të dytë. Asnjë rezultat tjetër nuk do t’u bënte punë për të tentuar elitën. Morali në radhët e ekipit, stafit dhe drejtuesve është në nivele të larta. Pas 5 fitoreve radhazi, tashmë të besuarit e Bledar Sinellës do të kërkojnë pathyeshmërinë. Kapiteni Mikel Canka beson te vazhdimësia, ndërsa kalimin e liqenorëve e quan “detyrë shtëpie”.

Mikel Canka2

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, shënuesi më i mirë i Tomorit dhe krejt Kategorisë së Parë e thotë troç që ata kanë nisur rrugën pa kthim për të ngjitur ekipin në Kategorinë Superiore. Dhe shanset janë të mëdha, derisa Egnatia është vetëm 2 pikë larg. “Objektivi ynë është shumë i qartë dhe i padiskutueshëm për sa i përket startit të fazës së tretë. Synojmë ta nisim me fitore këtë fazë dhe kemi punuar maksimalisht që të mposhtim Pogradecin ditën e diel në shtëpi. Ne e respektojmë kundërshtarin, i cili jo rastësisht ka ardhur deri në këtë moment të kampionatit.

Ata meritojnë gjithë respektin tonë si skuadër dhe si staf teknik. Por, luajmë në fushën tonë dhe nuk do ta diskutojmë marrjen e pikëve të plota, kështu që parë në këtë prizëm, ne jemi më të avantazhuar. Pse e them këtë? Sepse për Tomorin nga kjo përballje nis rruga pa kthim drejt Superiores dhe në këtë aspekt, ne nuk do të diskutojmë fitoren në fushën tonë. Jemi sa të mobilizuar aq edhe të bindur në forcën tonë. Kështu që, të dielën do të zbresim në fushë vetëm për fitore. Ndërkohë që, ne as nuk e nënvlerësojmë dhe as nuk e mbivlerësojmë kundërshtarin. Thjesht do të bëjmë detyrën e shtëpisë dhe sigurojmë fitoren e gjashtë radhazi”, ka përfunduar “bomberi” lushnjar i beratasve.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"