Tomori sfidon Laçin, flet mesfushori i beratasve: Të motivuar për t’i ndalur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2021 | 12:15

Tomori sfidon Laçin, flet mesfushori i beratasve: Të motivuar për t’i ndalur

Tomori pret sot Laçin në orën 14:00 në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Beratasit vijnë pas kualifikimit ndaj Lushnjës, ndërkohë që këtë herë shkalla e vështirësisë është shumë e lartë, për vetë faktin se kurbinasit janë një ekip që pretendojnë t’i shkojnë deri në fund Kupës.

Tomori Dalipi

Gjithsesi, ekipi do të synojë të bëjë më të mirën në këtë takim të parë, edhe pse stafi teknik ka menduar që t’i japë një mundësi më shumë aktivizimi edhe futbollistëve që kanë marrë pak minuta në kampionat. Kjo nuk nënkupton aspak që te Tomori janë të dorëzuar pa u luajtur ndeshja, përkundrazi do të zbresin në fushë për të dhënë maksimumin dhe të provojnë forcat me Laçin e Superiores.

Trajneri Klevis Dalipi pret të marrë një sinjal pozitiv nga grupi i lojtarëve, që po kalon një formë të mirë në javët e fundit me fitoret bindëse. Ndërkohë, mesfushori i njohur beratas, Ariel Dobra, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport” ka theksuar se skuadra do të tentojë të bëjë surprizën që sot.

“Ndaj Laçit është vërtetë një ndeshje e rëndësishme, pasi është rasti që të tregojmë vlerat tona më të mira që po shfaqim edhe në kampionat. Gjithashtu, kjo është porosia e qartë e trajnerit tonë, që të gjithë ata që do të zbresin në fushë, të luftojnë për të respektuar fanellën dhe tifozët.

Kupa është një kompeticion i rëndësishëm, ku shpresojmë që të bëjmë detyrën dhe të shfaqim po ato cilësi dhe formë të lartë sportive si në kampionat. Një tjetër arsye e fortë që na motivon është se përballë kemi një skuadër të Superiores.

Të gjithë futbollistët duhet të tregojnë kapacitetin e tyre”, ka deklaruar Dobra. Beratasit kanë një transfertë delikate të dielën, pasi luajnë pikërisht ndaj Tërbunit në Pukë.

Në këto kushte, Dalipi kërkon të bëjë një menaxhim të mirë të forcave, pasi kërkohet patjetër rezultat pozitiv në Pukë për t’u afruar me vendin e dytë, që mbahet Erzeni me një pikë më tepër.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"