Tomori/ Rrotacion me Lushnjën, Dalipi: Pres maksimumin edhe nga stoli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2021 | 11:40


Tomori/ Rrotacion me Lushnjën, Dalipi: Pres maksimumin edhe nga stoli

Tomori është thuajse i kualifikuar, por në Berat nuk ka vend për relaks. Ndeshjen e parë në “Roza Haxhiu” e fituan 3-0 kundër Lushnjës, e megjithatë stafi teknik pret vlerësim maksimal edhe të këtij 90-minutëshi. Kalimi i turit ndoshta nuk diskutohet, por Klevis Dalipi kërkon që skuadra të ruajë ritmin. Me kampionatin që vjen shpejt, nuk duhet ulur për asnjë çast vigjilenca.

Tomori Dalipi

Gjithsesi, rrotacioni në formacion është i pashmangshëm. Kur dihet që në fundjavë luajnë me Apoloninë për kampionat, disa titullarë do të kursehen.

Ai ka shpjeguar për “Panorama Sport” të gjithë strategjinë që do të ndiqet për ndeshjen e sotme kundër Lushnjës. “Na është dashur që të punojmë në dy drejtime gjatë kësaj jave. Punuam për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Lushnjën, por edhe atë të kampionatit me Apoloninë.

Për fatin tonë të mirë, do të luajmë dy ndeshje në tri ditë dhe që të dyja në shtëpi e kjo përkthehet me evitim të lodhjes nga rrugëtimi. Fitorja në aktin e parë të turit të parë na krijon kushte dhe komoditetin të bëjmë rrotacion të detyrueshëm.

Unë kam të njëjtat kërkesa edhe nga futbollistët alternativë, pasi në fund të fundit që të gjithë janë të rëndësishëm dhe kanë mundësinë që të tregojnë veten.

Pres nga të gjithë të luajnë maksimalisht dhe të tregojnë vlerat e tyre edhe në Kupë. Falë kësaj paraqitjeje, gjithsecili do të jetë pa diskutim edhe një opsion për ndeshjet e kampionatit”, përfundoi elbasanasi i stolit beratas.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL