“Tomori për elitë”, trajneri Sinella optimist para sfidës me Kastriotin: E dimë ku çalojnë krutanët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2021 | 14:21

“Tomori për elitë”, trajneri Sinella optimist para sfidës me Kastriotin: E dimë ku çalojnë krutanët

Optimizmi dhe shpresa për të parë Tomorin në Superiore është rritur në Berat. Për ta bërë të mundur arritjen e qëllimit, mësohet se biznesmenë beratas që operojnë në qytet dhe jashtë tij, janë treguar të gatshëm që ta motivojnë ekipin me një premio të majme, në mënyrë që ekipi t’ia dalë në ndeshjen shtesë ndaj Kastriotit.

Sinella Tomori

Në një prononcim për “Panorama Sport” trajner Bledar Sinella tregon atmosferën dhe gjendjen e ekipit para sfidës së nesërme me krutanët.

Cila është atmosfera te Tomori përpara ndeshjes me Kastriotin?

Ajo që po reflektohet momentalisht nga të gjithë, stafi drejtues dhe futbollistë, mund të them se është një situatë shumë optimiste, që realisht na mbush me shumë besim për të zhvilluar një ndeshje dinjitoze dhe të tregojmë vlerat që mbart ekipi. Gjithashtu, për të qenë sa më të sigurt që të mundësojmë ngjitjen në Superiore, një objektiv i shumëdëshiruar nga të gjithë dashamirësit e Tomorit.

Sa njohje keni për kundërshtarin dhe cila është “arma” më e fortë e Tomorit për të mposhtur Kastriotin?

Të jemi korrektë me të gjithë, ne nuk është se e kemi njohjen e mjaftueshme për kundërshtarin, kjo për faktin e thjeshtë se kemi qenë në dy kategori të ndryshme. Por, kjo nuk do të thotë që na mungojnë masat ndaj tyre, pasi kemi marrë informacionin e nevojshëm dhe njohim të gjitha pikat e tyre të forta dhe të dobëta.

Vërtet Kastrioti është një skuadër e Superiores, por jemi të informuar se ata kanë disa pika të dobëta ku do t’i godasim. Skuadra ime e di shumë mirë që ata janë një kundërshtar që kanë pikat e tyre të dobëta, sepse fundja fare, kjo i çoi deri këtu në ndeshjen shtesë.

Sa beson Bledar Sinella dhe skuadra e tij te suksesi, që në Berat janë duke e pritur prej plot tetë sezonesh?

Unë në radhë të parë dua të flas jo vetëm si profesionist, por dua të jem sa më shumë objektiv, aq më shumë kur deklaratat tona janë publike. Me këtë dua të them, se jam shumë i përgjegjshëm në pretendimet tona si skuadër dhe në gjithçka që deklarojmë për opinionin e gjerë futbolldashës. Kam në zotërim një skuadër me një grup ojtarësh të aftë dhe shumë profesionistë, të cilët meritojnë të jenë sezonin e ardhshëm pjesë e Superiores.

Ky grup që unë drejtoj, ka një bagazh eksperience për t’u respektuar nga të gjithë, ndaj ky vlerësim meriton edhe shpërblimin e duhur. Që të mos zgjatem, të paktën më duhet të deklaroj se ka ardhur momenti i duhur që Tomori të rikthehet në Superiore. Jo vetëm për kontigjentin cilësor dhe historinë e klubit, por edhe se qyteti i Beratit, me një impiant me përmasa olimpike, besoj se është i vonuar në elitën e futbollit shqiptar.

Dua ta mbyll këtë prononcim me dy argumente që lidhen me ndeshjen ndaj Kastriotit. Fillimisht, që suksesin e Tomorit nuk e kërkojnë me të drejtë qytetarët dhe specialistët e futbollit beratas, por më ka bërë shumë përshtypje fakti se ngjitjen tonë në Superiore, e kërkojnë nga Elbasani dhe të gjitha qytetet e Jugut të Shqipërisë.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"