Tomori pa 3 titullarë, Arbri nuk dorëzohet: Është momenti që të fitojmë ndaj Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2018 | 10:06

Tomori pa 3 titullarë, Arbri nuk dorëzohet: Është momenti që të fitojmë ndaj Apolonisë

Tomori u ka dhënë fund përgatitjeve në prag të sfidës së sotme me Apoloninë. Trajneri 34-vjeçar, Gersi Arbri, e ka zhvilluar seancën e fundit nën atmosferën e një grinte ndryshe nga herët e tjera, ku ka përcaktuar edhe 11 titullarët që pritet të zbresin në fushën e blertë. Me grupin është integruar edhe mesfushori Erald Hyseni, i cili pritet ta nisë që nga minuta e parë këtë përballje pas një mbingarkesë në gjurin e tij majtë.

tomori tirana 1

Ndërkaq, në dispozicion të teknikut beratas nuk do të jetë autori i golit kundër Tiranës, Florian Kopaçi, i cili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për protesta. Një mungesë e rëndësishme gjithashtu pritet të jetë dhe mesfushori me eksperiencë shumëvjeçare, Ervis Çaço, që ka plotësuar numrin e 4 kartonëve të verdhë. I vetmi lojtar që mbetet në mëdyshje për t’u aktivizuar është sulmuesi kolonjar, Aldo Mitraj, i cili ka thyer gishtat e dorës së majtë në përballjen e fundit në Berat ndaj Turbinës.

Tomori

Arbri – Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Gersi Arbri ka folur në lidhje me gjendjen e skuadrës, si edhe objektivat e tyre në këtë duel. “Fillimisht dua të falënderoj lojtarët për grintën e treguar në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës. Ata shpalosën vlerat e tyre dhe arritën të krijonin një lojë voluminoze ndaj një Tirane të madhe.

arbri

Pavarësisht dëmeve që na kanë sjellë arbitrat, unë vazhdoj ta them sërish se, me këtë kontingjent lojtarësh, ne e kemi thuajse të arritur objektivin dhe ndodhemi brenda gjithë pritshmërive. Gjatë javës anti-Apoloni kemi punuar me seriozitet dhe në kushte tepër ideale. Besoj se ka ardhur koha të bëjmë autokritikën e dy ndeshjeve të fundit dhe se fitorja do të ishte rezultati i vetëm i pranueshëm në këto pak ndeshje që kanë ngelur.

Apoloninë e kemi vlerësuar maksimalisht dhe nuk e nënvlerësojmë aspak. Ata kanë një grup të konsoliduar dhe do të përpiqen të na ‘rrezikojnë’ me kundërsulme. Do të kemi dy mungesa të rëndësishme si Çaço dhe Kopaçi, teksa nga krahu tjetër mbetet në mëdyshje dhe aktivizimi i sulmuesit Aldo Mitraj”, përfundoi trajneri Arbri.

ERIS SYLYKU

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"