Tomori ngre në qiell Cetkoviçin: Më i miri në Shqipëri në rolin e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2017 | 21:50

Tomori ngre në qiell Cetkoviçin: Më i miri në Shqipëri në rolin e tij

Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Genc Tomori, pas ndeshjes miqësore me Gabalën, në një prononcim për “Panorama Sport” sqaroi gjendjen ku ndodhet ekipi, si dhe për paraqitjen ndaj azerbajxhanasve.

“Nga paraqitja në miqësoren e fundit jemi të kënaqur, pasi përballë kishim një nga ekipet më të forta të Azerbajxhanit. Gjithsesi, ne pretendojmë për më shumë, pasi skuadra ka forca dhe potencial për të dhënë më tepër, gjë të cilën shpresojmë që ta shprehë në kampionat. Jemi të kënaqur për punën që po kryen ekipi në Antalia, por e mira nuk ka fund”, u shpreh drejtori i të kuqve.

cetkovic

Afrimet

Më pas, Tomori vlerësoi afrimet e merkatos, ku sipas tij Marko Cetkoviç mbetet lojtari më i mirë në Shqipëri, sa i përket rolit ku ai luan. “Cetkoviç, ndonëse arriti në hotelin ku qëndron ekipi në 6 të mëngjesit, u aktivizua në pjesën e dytë dhe të gjithë e pamë se çfarë prezantimi kreu. Në rolin e tij, Cetkoviç është lojtari i parë dhe më i miri në Shqipëri. Cilësitë e tij njihen nga të gjithë, kështu që nuk ia vlen që të zgjatemi më shumë.

Edhe Bonifejs tregoi diç- ka për aq minuta sa luajti. Ne jemi të kënaqur nga afrimet, por sigurisht që presim më shumë nga ata dhe gjithë ekipi. Ajo që duhet evidentuar është interpretimi i mirë që i bëri i gjithë ekipi ndeshjes së fundit ndaj Gabalës”, vijoi më tej Genc Tomori.

Merkato

Tomori pohoi se Partizani është i kompletuar, por merkatoja mbetet e hapur, kryesisht në hyrje, pasi nuk kanë plane që të largojnë ndonjë lojtar. “Jemi të kompletuar, por sërish mbetemi të hapur për afrime cilësore. Aktualisht ne përjashtojmë mundësinë e largimit apo huazimit të ndonjë lojtari gjatë kësaj periudhe. Të gjithë lojtarët konsiderohen pjesë e grupit.

Të mos harrojmë se me gjithë tre portierët ne kemi kontingjentin e nevojshëm të lojtarëve për të përballuar me sukses kampionatin. Të gjithë konsiderohen pjesë e formacionit, kështu që nuk bëhet fjalë që të largojmë njeri. Nuk kemi futbollistë të tepërt në grup, jemi aq sa duhet 22 lojtarë dhe tre portierë”, u shpreh për “Panorama Sport” drejtori i Partizanit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"