Tomori në shënjestër, oferta për titullarët beratas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2018 | 16:39

Tomori në shënjestër, oferta për titullarët beratas

Endri Mersini mund të largohet nga Tomori gjatë merkatos verore. Futbollistit 24-vjeçar i ka skaduar kontrata me klubin beratas dhe konsiderohet si një lojtar me zgjedhje të lirë. Për futbollistin në fjalë mësohet të kenë ardhur dy oferta mjaft serioze nga kampionati shqiptar, përkatësisht një nga Kategoria e Parë dhe një nga ajo Superiore.

tomori tirana

MERSINI

Në një prononcim për “Panorama Sport”, futbollisti Mersini u shpreh ende i pavendosur për të ardhmen, teksa nuk e përjashton mundësinë për të qëndruar në Berat. “Kam dy oferta mjaft serioze nga dy klube që aktualisht nuk dua t’ia përmend emrin, pasi jemi ende në bisedime dhe në respekt të negociatave duhet t’i mbaj sekret. Është ende shpejt për të vendosur. Kam një ofertë nga Superiorja që po e shikoj me kujdes të veçantë, pasi dëshira ime mbetet gjithnjë aktivizimi në kategorinë elitare.

Në rast të kundërt, atëherë nuk e përjashtoj mundësinë për të qëndruar në Berat. Këtu jam ndier mirë dhe jam i lumtur për mënyrën se si më kanë trajtuar”, u shpreh fillimisht Mersini. Sakaq, mes të tjerash, futbollisti gjirokastrit ka komentuar edhe sezonin e sapo përfunduar, ku sipas tij, mund të kishin bërë edhe diçka më shumë. “Relativisht kemi bërë një sezon pozitiv, mirëpo kishte vend për të bërë edhe diçka më mirë se kaq. Gabuam në disa takime të caktuara, ku duhet të ishim treguar më të kujdesshëm dhe më vetëbesues. Objektivat u realizuan me sukses dhe kjo është tepër e rëndësishme për ne. Ky grup është i fortë dhe me disa përforcime mund t’ia dalë për t’u ngjitur në elitë sezonin e ardhshëm”, e mbylli Mersini.

SKUADRA

Tomori bëri një paraqitje të mirë gjatë kampionatit të kaluar, duke rivalizuar deri diku me skuadrat pretendente siç ishin Tirana dhe Bylis. Drejtuesit kanë bërë të ditur se do të ruajnë një pjesë të mirë të lojtarëve që kanë aktualisht dhe në kampionatin e ardhshëm do të tentojnë të renditen në vendin e parë për t’u ngjitur në Superiore.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"