“Tomori në rrugën e duhur, me tifozët më të fortë”, Dalipi: Lojtarët më ndjekin, koha për vazhdimësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2021 | 11:17

“Tomori në rrugën e duhur, me tifozët më të fortë”, Dalipi: Lojtarët më ndjekin, koha për vazhdimësi

Tomori udhëton në kryeqytet këtë të shtunë, atje ku do të masë forcat me Vorën. Përgatitjet vazhdojnë me intensitet të lartë dhe grupi është më shumë se i karikuar. Edhe pse luajnë në transfertë, qëllimi mbetet vetëm një: të sigurojnë fitorja e dytë sezonale. Nëse mbështetësit dhe vetë lojtarët janë të entuziazmuar pas suksesit me Lushnjën, më i frenuar është trajneri. Ai është më i qetë pas asaj ndeshjeje, e megjithatë kërkon të ndalë çdo lloj euforie. Jo vetëm se u druhet gabimeve, por edhe në respekt të kundërshtarit. Vorakët nuk janë të panjohur për beratasit, pasi dy sezone më parë janë ndeshur për finalen e Kategorisë së Dytë (të cilën Tomori e humbi, ndonëse të dyja u ngjitën). Ballafaqimi i kësaj radhe pritet të jetë krejt ndryshe. Jo vetëm që skuadrat luajnë në një nivel më lart, por edhe organika nuk është më e njëjta.

Tomori Dalipi

DALIPI – Tomori është duke u rritur dita-ditës dhe Klevis Dalipi është bindur që shumë shpejt do të shkojnë drejt perfeksionit. Loja e beratasve është përmirësuar, por ajo që gëzon trajnerin është gjë tjetër. Lojtarët e ndjekin dhe nëse vazhdohet me këtë ritëm, rezultatet nuk do të mungojnë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, elbasanasi i stolit shprehet:

“Fitorja me Lushnjën na dha qetësinë dhe forcën për të punuar për transfertën me Vorën. Kuptohet që ne kërkojmë vazhdimësinë dhe paraqitje dinjitoze, ndonëse luajmë jashtë fushës sonë. Jemi në rrugën e duhur dhe përmirësimet në lojë janë të dukshme. Janë këto detaje që më mbushin me besim, se edhe në Tiranë do të dhurojmë të njëjtin futboll dhe rezultatin ta përcaktoj fusha.

Vora ka një skuadër që meriton respekt dhe vlerësim maksimal dhe nuk është rastësi që sezonin e kaluar siguruan direkt qëndrimin në këtë kategori. Është pozitiv fakti që në fushën e Vorës luhet lirshëm dhe për këtë e parashikoj një takim të hapur. Ajo që po has gjithnjë e më shumë, është se lojtarët janë përmirësuar ndjeshëm dhe më vjen mirë që skuadra mua më ndjek.

Jemi duke shkuar gradualisht drejt perfeksionit. Mirëpres në këtë takim mbështetjen e tifozërisë sonë, që motivon dyfish futbollistët e mi”, përfundoi numri një i pankinës beratase.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"