“Tomori në ndërtim e sipër”, trajneri Sinella: Disa ekipe të Superiores kanë refuzuar miqësoret në Berat, ndoshta dikush trembet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2020 | 16:27

“Tomori në ndërtim e sipër”, trajneri Sinella: Disa ekipe të Superiores kanë refuzuar miqësoret në Berat, ndoshta dikush trembet

Tomori ka hyrë në javën e tretë të përgatitjeve për sezonin e ri. Beratasit kthehen në Kategorinë e Parë dhe kanë bërë shumë lëvizje gjatë merkatos, duke nisur nga stoli, ku vendin e Kristaq Miles e ka zënë Bledar Sinella. Pas miqësores së dytë që beratasit zhvilluan ndaj Orikut në transfertë, ku barazuan 1-1, trajneri kavajas ka folur për “Panorama Sport”, duke bërë një bilanc të punës së deritanishme me skuadrën. Ai flet edhe për merkaton dhe ambiciet e Tomorit në kampionatin e ri.
sinella
SINELLA – “Aktualisht jemi në javën e tretë të fazës përgatitore dhe po punojmë me ‘marshin maksimal’, me dy seanca në ditë. Në bashkëpunim me disa skuadra të njohura, po testojmë punën tonë fazë pas faze nëpërmjet ndeshjeve miqësore. Kemi luajtur ndaj Egnatias dhe Orikut në transfertë, pasi disa skuadra të njohura edhe në Superiore nuk kanë pranuar të ndeshen me Tomorin në Berat. Ndoshta dikush i trembet forcës sonë. Jam shumë i kënaqur nga puna e zhvilluar me skuadrën, ku futbollistët po më përgjigjen më së miri. Në të dyja miqësoret kemi treguar vlera, edhe pse Tomori është në rindërtim e sipër. Merkatoja mbetet e hapur vetëm për futbollistë cilësorë. Ne vazhdojmë të punojmë që Tomori të jetë në lartësinë e duhur sezonin e ri dhe kam shumë besim se kështu do të ndodhë”, ka theksuar për gazetën trajnerin Sinella.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"