Tomori merkato te Tirana, akord me mbrojtësin vlonjat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2018 | 17:35

Tomori merkato te Tirana, akord me mbrojtësin vlonjat

Tomori është shumë pranë marrëveshjes me qendërmbrojtësin vlonjat Alvaro Bishaj. Burime të sigurta tregojnë me bindje se negociatat ndodhen fare pranë fazës finale dhe se zyrtarizimi mund të kryhet gjatë kësaj jave. Në kampin beratas kanë planifikuar një revolucion thuajse total gjatë kësaj merkatoje vere pas një sezoni jo edhe aq pozitiv sa pritej. Megjithatë, ashtu siç është thënë edhe më parë për gazetën, gjatë ditëve në vijim pritet që të vijnë disa lojtarë në formë huazimi nga skuadra me emër si: Flamurtari, Tirana dhe Luftëtari.

alvaro bishaj

Në këtë mënyrë nuk përjashtohet aspak mundësia që Bishaj të vijë në formën e huazimit nga Tirana, në rast se palët nuk do të pranojnë prishjen e kontratës me konsensus, ashtu siç edhe flitet së fundmi. Alvaro Bishaj ishte një ndër lojtarët më të dalluar të Tiranës gjatë sezonit të kaluar, megjithëse luante nën trysninë e një konkurrence të lartë. Ky do të ishte rikthimi i tretë për lojtarin 26-vjeçar në qytetin e Beratit, aty ku gëzon një mirënjohje nga të gjithë sportdashësit për atë çfarë ka treguar me fanellën e Tomorit.

MAHMUTAJ – Sakaq, me skuadrën është bashkuar edhe sulmuesi shtatlartë Klaudio Mahmutaj, i cili nuk arriti të federohej në kohë gjatë merkatos dimërore për shkak të disa problemeve që i nxorën. Mahmutaj konsiderohet si një futbollist cilësor, teksa është vetëm 20 vjeç dhe ka pasur një karrierë të artë në kampionatin e moshave në Greqi dhe jo vetëm. Futbollisti Mahmutaj është aktivizuar për disa skuadra si: Panthinaikos, AEK, Panionios, Hamburg (Gjermani) dhe Moura (Portugali).

Në provën e kryer gjatë merkatos së janarit, sulmuesi Mahmutaj ka shfaqur të dhëna pozitive dhe tashmë duket se ka ardhur koha për të nënshkruar kontratën me Tomorin. Ndërkaq, skuadra ka nisur prej disa ditësh përgatitjet për sezonin e ri. Grupi i lojtarëve po shtohet ditaditës dhe trajneri Gersi Arbri është duke parë me vëmendje çdo lojtar. Në ditët në vazhdim do të ketë lojtarë që do të provohen nga stafi teknik.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"