Tomori, kunja mes trajnerësh. Tekniku Dule kritikon paraardhësin: Ekipi me tjetër fytyrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2019 | 17:58

Tomori, kunja mes trajnerësh. Tekniku Dule kritikon paraardhësin: Ekipi me tjetër fytyrë

Tomori është rikthyer te fitorja pas 3 humbjeve radhazi në Kategorinë e Parë, duke mposhtur Turbinën me rezultatin e pastër 2-0 në transfertë. Ishte një ndeshje e dominuar plotësisht nga beratasit e teknikut Santialiano Dule, të cilët tanimë mund të marrin frymë lirisht.

Megjithatë, beratasve do u duhet shumë punë në tri takimet e mbetura të fazës së dytë për të siguruar 5-shen e parë në fazën e tretë.

santiliano dule

DULE

Trajneri i Tomorit, Santiliano Dule, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” në lidhje me fitoren. Ai ka thënë se është i kënaqur nga ajo që ka dhënë skuadra në fushën e lojës, por që ekipi nuk duhet të ndalet këtu.

“E kam marrë skuadrën pas një periudhe jo fortë të mirë në kampionat. Të shtunën treguam një tjetër fytyrë. Luajtëm një ndeshje të disiplinuar dhe në fund rezultati foli vetë. Kjo është një fitore tepër e rëndësishme, pasi, veç faktit që luanim në një transfertë të vështirë, e kemi filluar ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke vënë kundërshtarin në presion dhe kemi pasur një ekuilibër të mirë. Do të doja të prezantoja lojën e mirë të dy prurjeve të janarit, si Dore dhe Duka, të cilët janë shfaqur në një nivel të lartë dhe besoj se kemi bërë një punë të mirë në këtë aspekt”, është shprehur fillimisht tekniku beratas në prononcimin e tij për gazetën.

I pyetur në lidhje me sulmin, trajneri është përgjigjur: “Këtë repart mund ta konsideroja si më problematikun përgjatë këtij kampionati, por besoj se diçka do të ndryshojë për mirë. Në këtë ndeshje, sulmi nuk më ngrohu. Kacoli është një lojtar i mirë, por do ende kohën për t’u ambientuar me lojën e skuadrës. Dyca dhe Galica janë dy sulmues me emër dhe pres më shumë. Pjesa tjetër është në nivelin e duhur. Ndaj Apolonisë duhet të eliminojmë çdo lloj gabimi, pasi duke performuar mirë mund të arrijmë te fitorja”, u shpreh fillimisht Dule.

OBJEKTIVAT

Ndërkaq, trajneri i Tomorit ka folur mbi objektivat dhe shanset që skuadra ka për të arritur aty ku dëshiron. “E kam thënë që në fillim, që kjo gjë tashmë nuk është më në dorën tonë. Presim të gabojnë kundërshtarët dhe të përfitojmë ne. Nuk e dëshiroja fitoren e Orikumit, por ja që ndodhi. Gjithsesi, të presim javët në vazhdim. Objektivi primar është që të jemi në 5- shen e parë dhe më pas të mendojmë për fazën e tretë”, e mbylli Dule prononcimin e tij për gazetën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"