Tomori kërkon hakmarrje, Kasmollari: Presioni mbi blutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2023 | 8:56

Tomori kërkon hakmarrje, Kasmollari: Presioni mbi blutë

Tomori udhëton të dielën në kryeqytet, atje ku e pret një “provim” i vështirë. Kundërshtari kryeson garën dhe kaq ka mjaftuar që beratasit ta marrin seriozisht.

mnvmvv

E megjithatë, skuadra e Klodian Arbërit nuk shkon e dorëzuar. Synon që të mos dalë pa pikë nga “Selman Stërmasi” dhe marrë në një lloj forme “hak” për barazimin e kontestuar të fazës së parë. Këtë e thotë edhe mbrojtësi Paolo Kasmollari.

Në një deklaratë për “Panorama Sport”, pogradecari ka deklaruar: “Nuk diskutohet që na pret një ndeshje e vështirë me Dinamon, sepse ata janë kryesues dhe vijnë pas një humbjeje, kështu që parashikojmë se do të kërkojnë me insistim fitoren, për më shumë që vijnë nga një humbje. Por kjo nuk do të thotë se ne shkojmë në këtë përballje të dorëzuar, pasi jemi përgatitur gjatë javës që të bëjmë lojën tonë dhe mundësisht të befasojmë Dinamon. E them këtë, pasi presioni për fitoren është te Dinamo në këtë ndeshje dhe jo te ne, kështu që premtojmë të zhvillojmë një lojë të bukur dhe të pretendojmë ndonjë rezultat pozitiv. Kjo edhe për një lloj ‘shpagimi’ për mënyrën se si na mohuan fitoren në fazën e parë në Berat, dhe kjo nuk është vetëm dëshira jonë, por edhe e tifozërisë beratase”.

ÇILINGIRI – Një opinion për këtë supersfidë e jep edhe ish-kapiteni, Petrit Çilingiri.

“Është në nderin e skuadrës dhe stafit, që në kryeqytet të jenë sa më të motivuar dhe zhvillojnë një ndeshje sa më dinjitoze. Janë dy arsye madhore në mes të këtij takimi, ku së pari, duhet vlerësuar ana profesionale dhe skuadra të mos kënaqet nga fakti se luan për t’i shpëtuar fundit të tabelës, por më shumë se kaq… Dhe të mos harrojnë të gjithë, mënyrën se si na “trajtoi” Dinamo në fazën e parë, ku me një gjykim të njëanshëm ka tensionuar dhe ka shkatërruar një ndeshje. Për mua personalisht, skuadra dhe stafi teknik, duhet t’i kthejnë reston”, përfundoi legjenda e Tomorit.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"