Tomori humbi 15 milionë lekë, Gega: FSHF mbështeti Krujën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2021 | 10:21

Tomori humbi 15 milionë lekë, Gega: FSHF mbështeti Krujën

Tomori mbetet në Kategorinë e Parë. Kastrioti ishte shumë i fortë për beratasit, që nuk u ngjitën dot në elitë. Kjo finale u ka kushtuar shumë lojtarëve, pasi humbën të drejtën për të përfituar premio. Ishin vendosur jo pak, por 15 milionë lekë shpërblim prej bashkisë dhe klubit nëse kaloheshin krutanët. Por, fundi ishte i dhimbshëm: i la në inferiore dhe pa paratë.

kastrioti tomori

GEGA – Në Berat u mbeti mirazh misioni “Superiore”, edhe pse ishin aq pranë ngjitjes. Për të analizuar atë që nuk shkoi si duhet në ndeshjen e luajtur të dielën në stadiumin “Kamza”, mendon ish-kapiteni Gëzim Gega. Edhe pse gjendet në Angli, ai e ka ndjekur me shumë vëmendje atë 90-minutësh. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-mesfushori konstaton disa anomali duke filluar nga zgjedhja e fushës, gjykimi e për ta mbyllur me fajet e vetë beratasve. “E ndoqa me shumë vëmendje finalen, por më zhgënjeu. Gabimi nisi që nga fusha, e cila u zgjodh ajo ku luajti gjithë sezonin Kastrioti dhe kaq më mjafton për të thënë se gara nuk është e drejtë. Gjykimi pastaj pati të vetat.

Kridens Meta, me qëndrimet e tij, ka favorizuar indirekt Kastriotin, pasi nuk ka ndëshkuar me kartonë as kapitenin Çela dhe as sulmuesin afrikan për ndërhyrje të qëllimshme. Kam informacionin e duhur se ndeshja në Kamzë i shërbente Kastriotit dhe ky është një turp për FSHFnë që mbështeti në heshtje skuadrën krutane. Për sa i përket Tomorit dhe lojës së zhvilluar prej tij, le ta pranojmë hapur fare, u shfaq si një skuadër akademike dhe kjo jo për faj të teknikut Sinella, që do të thotë, me një mbrojtje e cila i dhuroi golat Kastriotit dhe me një sulm anemik, ndryshe nga pritshmëritë.

Për mua Kastrioti përfitoi nga kjo ‘lojë akademike’ e Tomorit dhe e fitoi ndeshjen, ku më vjen keq ta them, por kam informacione shumëkonfidenciale se Kastrioti ka qenë shumë i sigurt për fitoren qysh para takimit. Ndaj, duhet urgjentisht që drejtuesit e klubit dhe presidencës së Tomorit të marrin në analizë dhe të shpjegojnë se si skuadra shfaqi disa ‘anomali’ të theksuara në dy reparte në mënyrë të veçantë, në mbrojtje dhe në sulm, ku ishin dhe u treguan shumë anemikë, pavarësisht shtyllave dhe pritshmërive që ishin për këtë ndeshje”, ka mbyllur me një zë të fortë kritik për humbjen ishmesfushori i njohur dhe ish-kapiteni i Tomorit.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"