Tomori hesht para Elbasanit, Lleshanaku i druhet lodhjes: Kundërshtari ka pasur më shumë kohë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2020 | 12:54

Tomori hesht para Elbasanit, Lleshanaku i druhet lodhjes: Kundërshtari ka pasur më shumë kohë

Pas pushimit që i rezervoi kalendari, më në fund vjen radha e Tomorit. Kundërshtarë do të ketë Elbasanin dhe në qytet interesi për të parë ekipin është i madh. Edhe pse stadiumet janë të mbyllura, përtej rrethimit do ta gjejnë ndonjë cep për të ndjekur ekipin e zemrës. Skuadra u dha fund përgatitjeve dhe është gati për të kërkuar trepikëshin e parë. Të rikthyer pas një mungese të gjatë në Kategorinë e Parë, beratasit duan të tregojnë se ata luajnë me synime të mëdha. Mbijetesën as që e llogarisin, pasi misioni mban emrin “Superiore”. Klubi ka vendosur që ta nisë me heshtje të plotë këtë sezon dhe tashmë nuk u mbetet tjetër veçse fjalën e tyre ta japin në fushë.

lleshanaku

Elbasani shpreson të marrë pikët e para në kampionat për këtë sezon, teksa kalendari i ka rezervuar një përballje në transfertë me Tomorin. Humbja në ndeshjen hapëse ndaj Egnatias i detyron verdheblutë të luftojnë fort për të mos dalë pa gjë nga ky 90-minutësh. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” trajneri Shkëlqim Lleshanaku i druhet vetëm lodhjes që mund të ketë ekipi, në një kohë që përballë kanë një kundërshtar që vjen nga pushimi. Por, kjo nuk i ndryshon planet e tij dhe të Elbasanit, pasi do të zbresin në fushë vetëm për të marrë më të mirën.

“Duhet të mësohemi me faktin që do luajmë çdo tri ditë, edhe pse për këtë ndeshje ne jemi në disfavor, sepse kundërshtari ka pasur më shumë kohë në dispozicion. Shpresoj që lodhja të mos ketë ndikim, por edhe ky fakt nuk mund të jetë justifikim aspak për ne. Do udhëtojmë drejt Beratit për të marrë maksimumin nga kjo sfidë. Është një transfertë e vështirë dhe një përballje si të gjitha të tjerat në grupin tonë. Pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë, skuadra nuk është demoralizuar, por ka besim se do të marrim edhe pikët e para në kampionat. Unë kam besim se djemtë do të dinë të bëjnë më të mirën dhe të tregojnë aftësitë e tyre të vërteta”, përfundoi numri një i stolit elbasanas. Në këtë ndeshje, verdheblutë do të kenë edhe mungesa. Sulmuesi Saimir Hasani, i ndëshkuar me të kuq ndaj rrogozhinasve, nuk mund të llogaritet nga stafi teknik në 11-she. Sa i takon asaj përballjeje, klubi ka pasur pretendimet e tij për gjykimin dhe shpreson që të paktën në Berat të mos kenë probleme të tilla.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"