Tomori hap dyert, luan një “finale” me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2019 | 9:08

Tomori hap dyert, luan një “finale” me Apoloninë

Tomori do të luajë sot në orën 15:00 kundër Apolonisë, në një përballje me rëndësi të madhe për të besuarit e trajnerit Santiliano Dule, të cilët synojnë t’i shmangen rënies nga Kategoria e Parë. Beratasit do të zbresin në fushën e lojës me lojtarët më të mirë që kanë në dispozicion, edhe pse gjatë seancave stërvitore të kësaj jave ka pasur dilema për vendosjen dhe formacionin. Sharavolli, Drabo dhe Dervishi janë mungesat e konfirmuara të Tomorit për këtë sfidë.

Apolonia-Tomori

Kjo përballje pritet të sjellë emocione, pasi për beratasit është një nga katër finalet e mbetura deri në përfundim të kampionatit. Klubi i Tomorit, në këtë mënyrë, ka vendosur të hapë dyert e stadiumit për tifozët, të cilët do të kenë mundësi ta ndjekin pa pagesë nga shkallët e stadiumit, duke qenë kështu masivisht në mbështetje të skuadrës.

DULE – Trajneri i Tomorit, Santiliano Dule, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka thënë ndër të tjera se ekipi i tij duhet të fitojë medoemos në ndeshjen e sotme. 30-vjeçari ka pranuar faktin se skuadra nuk është paraqitur mirë në javët e fundit, por beson se kthesa e madhe do të vijë pikërisht ndaj Apolonisë.

“E dimë fare mirë që nuk kemi bërë ashtu siç duhet në javët e mëparshme. Por, mendoj se çdo gjë e kemi lënë pas dhe rezultati do të vijë që nga sfida e sotme. Kemi punuar më shumë me goditjet drejt portës dhe besoj se nuk do të kemi më probleme në finalizim. Çdo lojtar duhet të jetë i përgatitur me një inteligjencë të lartë, pasi vetëm kështu mund të gjejmë shokët, të fitojmë hapësira dhe të godasim kundërshtarin në momentet e duhura. Do të hedhim në fushë një rreshtim ndryshe nga i zakonshmi, duke e vënë në vështirësi kundërshtarit. Fakti që tashmë do të luajmë përballë spektatorëve tanë, tregon se ka mbaruar koha e hapave falsë dhe çdo sfidë në Berat duhet ta fitojmë medoemos. Jemi të ndërgjegjshëm për pozitat ku ndodhemi, por kjo gjë nuk na vendos aspak nën trysni”, është shprehur dje trajneri Dule për gazetën. Ndërkohë, Tomori ndodhet në kuotën e 10 pikëve në “Play-Out”, po aq sa Turbina që pozicionohet një vend më poshtë për shkak të rezultateve në ndeshjet direkte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"