Tomori do kthesën, Sinella sheh vetëm një rezultat: E mposhtim Turbinën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2020 | 13:01

Tomori do kthesën, Sinella sheh vetëm një rezultat: E mposhtim Turbinën

Përballja e sotme ndaj Turbinës në shtëpi shihet nga beratasit si momenti i reflektimit pas humbjes shokuese me Flamurtarin. Duke nisur nga kjo sfidë, Tomori parashikon të marrë kthesën e menjëhershme dhe synim i vetëm do të jetë fitorja. Për realizimin e saj, si futbollistët ashtu edhe trajneri janë treguar të vendosur se ky duel do të kalojë me sukses.

Sinella Tomori

Përgjatë dy ditëve të fundit, në seancat stërvitore ka rënë në sy angazhimi maksimal i të gjithë grupit të lojtarëve që përfaqësojnë Tomorin. Po kështu, nga ana e klubit dhe donatorëve janë marrë të gjitha masat që futbollistët të punojnë në kushte të qeta dhe larg çdo lloj presioni të jashtëm. Ndërkohë që tifozët, edhe pse të zhgënjyer nga humbja me vlonjatët, kanë premtuar se nuk do t’i ndahen ekipit, i cili do të ketë mbështetjen e tyre. Pas seancës së djeshme stërvitore, mësohet se Tomori do të zbresë i plotë në fushë, me përjashtim të sulmuesit Armando Mezini, që akoma nuk është gati.

BLEDAR SINELLA – Trajneri Sinella në prononcimin e tij para ndeshjes pohoi se fitorja shikohet si autokritikë për humbjen që pësuan në Vlorë. “Kemi pasur vetëm dy ditë kohë për të përgatitur ndeshjen me Turbinën. Ky kundërshtar, sikurse të tjerët, meriton vlerësimin maksimal. Por, ne nuk e fshehim aspak dëshirën tonë, që këtë përballje ta mbyllim me fitore.

Asnjë rezultat tjetër nuk na intereson veç fitores. Skuadra është e gatshme dhe e bindur për të realizuar këtë objektiv, aq më shumë që luajmë në shtëpi dhe klubi me presidentin dhe donatorët presin nga ne vetëm tri pikët. Unë i kuptoj shqetësimet e sportdashësve për humbjen në Vlorë dhe i ftoj të gjithë shumë miqësisht, që të kenë besim te skuadra. Kemi një grup futbollistësh që dinë si të reagojnë në fushë pas një humbjeje. Ndaj, askush të mos e kursejë mbështetjen për futbollistët, sepse sot do të tregojnë vlerat e tyre më të mira dhe se Tomori është një skuadër e bashkuar në momentet e vështira. Reagimi në fushë do të jetë i fortë dhe rezultativ”, e ka mbyllur tekniku Sinella deklaratën e tij.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"