Tomori afron portierin Birja, dy brazilianë nisin provën/ Arbëri optimist para Korabit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2022 | 22:17

Tomori afron portierin Birja, dy brazilianë nisin provën/ Arbëri optimist para Korabit

Tomori ka nisur javën stërvitore për startin e fazës së dytë, ku trajneri Klodian Arbëri do të debutojë në krye të pankinës beratase ndaj Korabit në transfertë. Ajo që ka rënë në sy në seancën e djeshme, ka qenë rikthimi pas disa ditëve mungesë i dy lojtarëve lushnjarë, sulmuesit Brunild Pepa dhe mbrojtësit të majtë Ledion Ruço.

Birja

Ndërsa për portierin Oltion Harremi, drejtuesit kanë bërë me dije se është në pritje të nënshkrimit me Bylisin. Sakaq, beratasit kanë kryer zëvendësimin e shpejtë kokë për kokë të pozicionit të portës, teksa kanë afruar nga Besa portierin e njohur dhe me eksperiencë, 32-vjeçarin Kadri Birja, që ka një rikthim të dytë te Tomori.

Në kuadër të merkatos te Tomori kanë mbërritur në provë dy futbollistë brazilianë, 20- vjeçari Juri dhe 21-vjeçari Lukas, të cilët piketohen si përforcime në fazën sulmuese. Të dy lojtarët kanë ardhur te Tomori nëpërmjet skuadrës së Bylisit. Sa i përket startit të fazës së dytë, në Berat janë më se të ndërgjegjshëm se transferta e Peshkopisë nuk do të jetë aspak komode. Trajneri Arbëri ka mbushur me besim skuadrën dhe stafin për ta përgatitur gjatë kësaj jave sa më mirë të jetë e mundur ndeshjen me Korabin.

Trajneri Arbëri përpara fillimit të seancës së djeshme, për “Panorama Sport” ka bërë një skaner të shkurtër të situatës te Tomori. “Fillimisht më duhet të evidentoj lojën e bukur dhe paraqitjen pozitive që skuadra paraqiti në miqësoren e fundit ndaj Bylisit në Ballsh. Më duhet të vlerësoj edhe një herë forcën e grupit, sepse kam në dispozicion një skuadër që ka në përbërje futbollistë me bagazh dhe cilësi. Por, ne jemi një grup shumë solid brenda dhe jashtë fushës dhe kjo është pa diskutim meritë e këtyre djemve të shkëlqyer.

Për sa i përket merkatos, nuk dua ta fsheh faktin se Tomori e ka grupin dhe se ndonjë përforcim i vogël thjesht do të perfeksiononte skuadrën. Unë pres që këtë javë të punojmë të gjithë së bashku sa më mirë të jetë e mundur, me qëllim që ndaj Korabit të tregojmë vlerat më të mira të Tomorit dhe mundësisht të përgatitemi që në këtë transfertë të vështirë. Të luftojmë për një rezultat pozitiv, edhe pse vlerat e kundërshtarit janë të padiskutueshme dhe skuadra dibrane meriton të gjithë respektin tonë maksimal”, u shpreh trajneri Arbëri.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"