Tomori afron një mesfushor nga Kategoria Superiore, “tris” në miqësoren e çudirave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2021 | 12:18

Tomori afron një mesfushor nga Kategoria Superiore, “tris” në miqësoren e çudirave

Në një kohë që po pret përgjigje nga Apolonia për Efijong Ejoh dhe Sali Kumanin, Tomori ka huazuar një tjetër lojtar nga Kategoria Superiore. Bëhet fjalë për Mario Barjamajn, që vjen borxh nga Bylisi. Mesfushori “zbarkoi” në Berat dhe menjëherë u aktivizua në formacion gjatë miqësores së zhvilluar dje me Albpetrolin. Ai bindi direkt, pasi asistoi në një nga golat. 22-vjeçari është një “xhol” për Bledar Sinellën, pasi mund ta aktivizojë jo vetëm në qendër të mesfushës, por edhe si sulmues krahu.

Mario Bajramaj

MIQËSORJA – Në praninë e afro 250 tifozëve, startoi Tomori-Albpetroli. Beratasit rigjejnë fitoren e munguar prej 2 miqësohesh, falë dopietës së Mikel Cankës dhe të riut Fabio Hamzaj. Loja ka nisur në sulm për vendësit, që pas 12 minutash edhe shënojnë. Megjithatë, vend për festë nuk ka. Nako gjeti rrjetën me kokë, por anësori sheh pozicionit jashtë loje. Rastet intensifikohen me Oshafin, Cankën dhe Barjamajn, po pa rezultat. Edhe miqtë rrezikojnë me Hatinë dhe Ferkon, por Harremi i thotë “jo”. E dyta nis direkt me gol. Ishte e 47-ta kur “gjahtari” Canka godet fluturimthi dhe zhbllokon rezultatin, pas atij krosi të marrë nga e majta. Pas dhjetë minutave, vjen edhe i dyti.

Këtë radhë nga e djathta e sulmit është Ruço që kroson në zonë dhe Canka me kokë shënon për 2-0. Kur do të vinte e 59-ta minutë, një ndërhyrje e rëndë Kapos së Albpetrolit bën që Çaço i Tomorit të lërë fushën i dëmtuar. Arbitri i tregon të kuqin. Lojtari shkon në dhomat e zhveshjes, e megjithatë ka menduar ish-presidenti i beratasve, Gramoz Toto, që të ndërhyjë që loja të vijojë 11 kundër 11 gati 10 minuta më pas. Me rikthimin në fushë të futbollistit, kryesori këtë herë i tregon të verdhin. Një situatë më shumë se e çuditshme, por që gjeti mbështetjen e të dyja ekipeve. Për të shkuar te loja, ishte e 64-ta minutë kur miqtë ngushtojnë shifrat me Aliajn, pas një kundërsulmi personal. Me gjithë ndryshimet e shumta në përbërje, beratasit nuk heqin dorë nga sulmet e vazhdueshme dhe në të 80-ën është 19-vjeçari Fabio Hamzaj që realizon për 3 me 1 dhe “vulos” krejt miqësoren.

SINELLA – Bledar Sinella ka mbetur i kënaqur nga reagimi i ekipit dhe mbi të gjitha nga afrimi më i fundit. Gjatë deklaratës së dhënë pas ndeshjes, trajneri i Tomorit u shpreh: “Na shërbeu kjo ndeshje për të parë ku jemi. Barjamaj më bindi, ka treguar se kemi bërë një goditje cilësore. Ndërsa vazhdoj të insistoj se merkatoja mbetet e hapur deri në minutën e fundit”.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"