“TKZ”, letër publike Lorik Canës: Shtyje ceremoninë e lamtumirës!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2017 | 18:44

“TKZ”, letër publike Lorik Canës: Shtyje ceremoninë e lamtumirës!

Nëpërmjet një letër publike të postuar në faqen zyrtare të “Facebook”, grupimi “Tifozat Kuq e Zi” i ka kërkuar kapitenit legjendar të Kombëtares të shtyjë në një kohë tjetër ceremoninë e lamtumirës, kjo për faktin se ata nuk do të jenë në stadium për ta përshëndetur dhe për të thirrur emrin e tij, për shkak të bojkotit në ndeshjet që Kombëtarja luan në shtëpi.

Lorik cana

Arsyeja ka të bëjë me keq-organizimin, dhe me keqtrajtimin fizik dhe psikologjik që tifozëve u bëhet nga policia shqiptare.

 LETRA E “TIFOZAVE KUQ E ZI”

I dashur kapiten

Marrim shkas që të drejtohemi me këtë letër publike, pas lajmit për ceremoninë lamtumirëse nga futbolli, të caktuar më datë, 9 tetor 2017.
Përpara kësaj, dëshirojmë që në emër të të gjithë anëtarëve të grupimit TKZ (Tifozat Kuq e Zi), të të falenderojmë, për çdo djersë dhe mund për të mirën e Kombëtares. Kudo ku të kemi ndjekur, imazhet e tua kanë qenë ato copëzat e krenarisë që e kanë plotësuar mozaikun e një shqiptari të mirë dhe shembull.
Siç edhe jeni në dijeni, Tifozat Kuq e Zi, dhe bashkë me të edhe disa grupime të tjera tifozerike që prej 1 viti, pa dëshirën e tyre janë në bojkot të ndeshjeve të Kombëtares në shtëpi. Arsyeja ka të bëjë me keq-organizimin, dhe me keqtrajtimin fizik dhe psikologjik që na bëhet nga policia shqiptare. Akoma në kohën kur po shkruajmë këtë letër, nuk ka ndonjë reflektim, prandaj edhe nuk mund të kthehemi në stadium derisa këto sjellje të përfundojnë një herë e përgjithmonë.
Si TKZ, si njerëz që të kemi ndjekur kudo, jo vetëm me ekipin kombëtar, kërkojmë nga ju që të shtyeni për një kohë tjetër ceremoninë e lamtumirës. Kjo për faktin se nuk mund të pajtohemi se nuk do të jemi në stadium për të përshëndetur edhe për të thërritur emrin tënd fortë, si përherë.
E dijmë që nuk është kërkesë e zakonshme, por kërkojmë që të na kuptoni drejt kërkesën tonë, nuk ka të bëjë më ndonjë kryeneçësi , por ka të bëjë kryekëput me trajtimin tonë njerëzor dhe dëshirën për ta bërë këtë ceremoni falenderuese sa më madhështore. Ne jemi të vendosur që bojkotin ta çojmë deri në fund, sikurse jemi të sigurtë në respektin dhe përkrahjen që na e ke dhënë gjithnjë, për të cilën gjë besojmë se as ju nuk keni dëshirë që të na shihni duke u persekutuar e keqtrajtuar.

Pa marrë parasysh rrjedhën e situatës, ju keni qenë, dhe do të jeni udhërrëfyes për shumë prej nesh se si lartësohet emri i Shqipërisë dhe i shqiptarëve nëpër botë.

Faleminderit kapiten!

Tifozat Kuq e Zi
O sa mirë me qenë shqiptar!

TKZ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"