Tkurret stafi i vlonjatëve, Flamurtarit i largohet edhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 0:11

Tkurret stafi i vlonjatëve, Flamurtarit i largohet edhe…

Pas përgatitësit atletik, Flamurtarit i ikën edhe fizioterapisti. Brajan Osmani vendosi që ta mbyllte këtu aventurën me kuqezinjtë. “Panorama Sport” mëson nga burime pranë klubit se ai ka njoftuar drejtuesit për largimin, duke “tkurrur” stafin teknik. Situata duket në fakt e çuditshme, pasi rrjedhjet po shoqërojnë njëratjetrën në pankinë. Shkak duket situata financiare e cila ka bërë që fizioterapisti të mos qëndronte më. 

flamurtari

Brajan Osmani e nisi aventurën te Flamurtari në fillim të këtij sezoni, teksa zëvendësoi Enis Malajn të larguar pikërisht prej situatës financiare. Me gjithë insistimin e drejtuesve të klubit, ish-fizioterapisti vendosi që të kalonte tek Orikumi. Dhe gazeta mëson se edhe destinacioni i Osmanit mund të jetë pikërisht klubi orikas, ku do të përforcojë stafin mjekësor të drejtuar nga Enis Malaj. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, përgatitësi atletik i Flamurtarit konfirmoi “divorcin” nga klubi, por pa dashur që të japë shpjegime të hollësishme për shkaqet që e kanë çuar në këtë vendim.

troisiii

STAFI – Marcelo Troisi duket se ka mbetur tashmë me një staf të cunguar. Pasi i iku krahu i djathtë (përgatitësi portugez), ai ka mbetur vetëm me përthyesin. Flasim për stafin me të cilin erdhi në Vlorë me të marrë detyrën si trajner, pasi “të vjetrit” vijojnë ende punën. Bëhet fjalë për Luan Birçen që është ende trajner portierësh, por edhe Dritan Resulin që po asiston seancat stërvitore gjatë kësaj periudhe. Ky i fundit është trajneri i Flamurtarit U-19, në fakt, por duke qenë se trajneri brazilian nuk zotëron licencën “UEFA Pro”, kanë gjetur si zgjidhje që të jetë ai në protokoll për ndeshjet zyrtare. Shpesh seancat stërvitore ndiqen edhe nga drejtori Ardi Ciruna, i cili në raste të veçanta jep edhe ndonjë udhëzim.

sUKAJ

SUKAJ – E çuditshme duket situata në Vlorë edhe me Xhevahir Sukajn. Sulmuesi pak ditë më parë nisi të stërvitej me ekipin dhe rikthimi i tij u cilësua si një lajm i mirë në këtë situatë të vështirë ku gjendet ekipi. Por, shkodrani nuk ka dalë dje në stërvitje. Nuk dihet nëse i është përsëritur sërish dëmtimi apo ka marrë leje nga klubi. Situata me shkodranin mbetet e paqartë, ku herë rikthehet e herë mungon. Sulmuesi mund të ishte një nga shtyllat kryesore të ekipit nëse, por mungesat e vazhdueshme u kanë shtuar një tjetër mungesë të vyer kuqezinjve. Pritet të shikohet se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim me shkodranin. Sulmuesi shkodran shikohet si një nga të preferuarit e administratorit Sinan Idrizi, madje shpesh qëndron përkrah tij në tribunë duke ndjekur ndeshjet.

 ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"