“Tkurret” Besa, 2 futbollistë largohen zyrtarisht/ Kashami: Presim OK-in e presidentit për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2021 | 0:36

“Tkurret” Besa, 2 futbollistë largohen zyrtarisht/ Kashami: Presim OK-in e presidentit për…

Nisin largimet nga Besa. Qendërsulmuesi Jurgen Peqini dhe qendërmbrojtësi Egzon Shimaj shpallin “divorcin” me klubin. Ata prej ditës së djeshme, nuk janë më pjesë e ekipit kavajas. Lojtarët kanë mbyllur këtu aventurën, duke marrë zyrtarisht edhe letrat.

tomori-besa

Ka nisur kështu ai “operacion”, që e paralajmëroi disa ditë më parë për gazetën edhe vetë trajneri. Ndriçim Kashami u druhet, në fakt, disa largimeve, sepse mendon se do të jetë e vështirë që të dublohen vendet e lëna bosh. Kërkesat e trajnerit kavajas kanë qenë strikte, ai priste ruajtjen e një boshtit të sezonit që sapo u mbyll, megjithatë dy të parët ikën.

Kujtojmë se sulmuesi 23-vjeçar u aktivizua në 15 ndeshje dhe shënoi 4 gola, ndërsa mbrojtësi 20-vjeçar luajti në 15 takime. Duke llogaritur largimin e Jetmir Sefës disa ditë para se të mbyllej sezoni, të vëllezërve binjakë Kaina dhe Kevin Nunjesh (që ndodhen në vendlindje dhe nuk dihet nëse kthehen apo jo), te Besa numri i futbollistëve të larguar rritet në përmasa “të frikshme”.

PEQINI SHIMAJ

TRAJNERI

Ndriçim Kashami mundohet që të mos i dramatizojë largimet, ndërsa i quan të zakonshme në këtë periudhë. Gjatë një bisede me “Panorama Sport”, trajneri qartëson se e ka gati projektin për sezonin e ri dhe mbi të gjitha emrat që mund të afrohen janë piketuar.

Gjithsesi, fillimisht ai pret OK-in nga ana e presidentit. “Në këtë periudhë të mbylljes së kampionatit dhe kohës relativisht të gjatë që ka deri në startin e sezonit të ri 2021- 2022, duhet të mësohemi të gjithë me lëvizje të tilla. Projekti që kemi për ta fuqizuar skuadrën me lojtarë të rëndësishëm, kryesisht ata që posedojnë përvojë të vlefshme, do të jetë një prej prioriteteve tona.

Kontaktet i kemi nisur tashmë, por për të garantuar shërbimet e çdo lojtari që do t’i bashkohet Besës, do të duhet më parë edhe marrja e OK-it nga presidenti Bizhdili. Megjithatë, është akoma herët për këto procedura. Sapo është mbyllur edicioni dhe kemi ende kohë për zyrtarizime. Ne, sidoqoftë, mbetemi të hapur për shërbimet e futbollistëve që duan të jenë pjesë e Besës së sezonit të ardhshëm”, përfundoi trajneri.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"