Tjetër “sulm” i vlonjatëve, Flamurtari pret Dajën për stolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2018 | 9:29

Tjetër “sulm” i vlonjatëve, Flamurtari pret Dajën për stolin

Ilir Daja mbetet kandi dati kryesor për stolin e Flamurtarit. Burime pranë administratorit Sinan Idrizi konfirmojnë për “Panorama Sport” se trajneri i Skënderbeut ka shanset më të mëdha që sezonin e ri të drejtojë vlonjatët. Mësohet se drejtuesit e kanë kontaktuar teknikun e saposhpallur kampion, duke i bërë ofertën përkatëse. Por çështja e Skënderbeut që është në KAS ka lënë pezull avancimin e tratativave e dhe rrjedhimisht prezantimin e tij. Gjithashtu, konfirmohet se ka edhe një pëlqim nga vetë tekniku tiranas që të ketë një aventurë në Vlorë.

Daja

Por, “stepja” e vetme që ai ka, është pikërisht e ardhmja e ekipit të Skënderbeut. Daja dëshiron të mësojë se çfarë do të ndodhë, në respekt të klubit ku u shpall kampion dhe fitoi Kupën e Shqipërisë këtë sezon. Mësohet se drejtuesit e Flamurtarit kanë kontaktuar me trajnerin Daja dhe mes tyre ka pasur një bisedë në parim, por nuk është se është diskutuar rreth çështjeve të tjera, përfshi edhe anën financiare.

Të tjerët – Te Flamurtari ka një çështje thelbësore të pazgjidhur. Gjithçka lidhet me “timonierin” e ri. Kishte disa kandidatura, po ato firuan rrugës. E ndërsa shihej si potencial, duket se ka rënë pista e Hasan Likës, trajnerit të larguar nga Luftëtari. Janë zbehur edhe dy pista të tjera.

Milinkovic

Bëhet fjalë për ish-trajnerin e Kombëtares Shqiptare U-21 të Shqipërisë, Skënder Gega, si dhe ish-trajnerin e Luftëtarit dhe Kukësit, Mladen Milinkoviç. Ndërkohë, nuk mungojnë as disa pista jashtë vendit. Madje, opsion mund të jetë edhe një trajner nga Maqedonia.

Idrizi – Sinan Idrizi kërkon kohë për emërimin e trajnerit të ri. Ai deklaroi për gazetën se ka shumë emra në tavolinë, por po i shqyrton me kujdes. “Ka shumë emra që përflitet, por dua që të jemi të kujdesshëm. Do mendohemi mirë.

idrizi-470x303

E kam thënë edhe më parë, nuk ka pse ne të nxitohemi. Bashkë me stafin po shqyrtojmë me kujdes çdo gjë për t’i bërë gjërat të pjekura”, përfundoi Idrizi, i cili dje është zyrtarizuar si aksioner i kompanisë së vetme shqiptare ajrore, “Air Albania”.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"