Tjetër sekuestro aksionesh për Tiranën, ish-punonjësja bllokon asetet e klubit bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2018 | 12:11

Tjetër sekuestro aksionesh për Tiranën, ish-punonjësja bllokon asetet e klubit bardheblu

Tirana dhe bllokimet e aksioneve janë një histori pambarim. Edhe pse është kohë pushimesh, kreditorët e KF Tiranës nuk humbasin mundësi për të bllokuar aksionet e klubit bardheblu. Vendimi i radhës për të bllokuar aksionet e “Sh.a.”-së sportive vjen nga Mimoza Qyra, një ish-punonjëse e kësaj ndërmarrjeje.

tirana halili

Kjo e fundit me anë të një padie për pagim pagash, ia ka dalë të fitojë një shumë të konsiderueshme parash. Ishpunonjësja do të dëmshpërblehet me pagën e një viti pune për zgjidhje të parakohshme të kontratës së punës si dhe do të përfitojë gjithashtu pagat e papaguara të periudhës gusht 2014 deri më 19 shkurt 2015, ndërsa klubi i futbollit Tirana detyrohet t’i paguajë edhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore, që nuk janë derdhur për 11 muaj nga dhjetori i vitit 2013.

Ky ishte vendimi i para tre viteve. Dhe tani që flasim, nga ana e klubit dhe e Bashkisë rezulton se punonjësja nuk është paguar plotësisht. Në këto kushte, e dëmtuara me anë të një përmbaruesi privat ka kërkuar sekuestron preventive të aksioneve të klubit Tirana, derisa shoqëria të paguajë detyrimet, të cilat janë në shuma të konsiderueshme. Përmbaruesi privat në fillim të gushtit ka depozituar në “QKB”, urdhrin e bllokimit të aksioneve të bardhebluve dhe nëse pronarët e skuadrës duan të bëjnë ndonjë veprim ligjor nuk do t’ia dalin dot, nëse më parë, nuk i paguajnë ish-punonjëses detyrimet sipas vendimit të gjyqit.

kopja

Historia – Problemi më i madh i Tiranës ndër vite ka të bëjë me borxhet e shumta që klubi më i titulluar në vend ka tashmë të akumuluara. Përveç gjyqeve të humbura ndër vite me futbollistët, 24-herë kampionët tashmë përballen edhe me humbjen e disa çështjeve për sa u takon personave, të cilët kanë qenë pjesë e administratës së klubit. Faktikisht, këto borxhe janë të administratës së mëparshme, por që duhet të paguhen nga administrata aktuale e klubit dhe Bashkia Tiranë. Këto anomali jo pak herë kanë bllokuar funksionimin normal të KF Tiranës.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"