Tjetër miqësore në axhendë, Dinamo me grup të reduktuar
Dinamo luan sot miqësoren e dytë të kësaj minifaze përgatitore. Pas asaj që humbi me Kukësin (në shifrat 2-1), blutë do të përballen me Vorën e Kategorisë së Dytë.
Kjo skuadër drejtohet nga trajneri Artan Mërgjyshi dhe ka pretendime serioze për t’u ngjitur, ndaj është një test me vlera. Ndeshja luhet në stadiumin e sapondërtuar të vorakëve dhe starton në orën 11:00.
Nevil Dede do të ketë një grup më të reduktuar ama. Përveç dëmtimeve që ka pasur, disa nga elementët e rinj të saj janë aktivizuar një ditë më parë me ekipet e moshave.
Portieri Simon Simoni dhe sulmuesi Françesko Daija u aktivizuan me Dinamon U-21, ndërsa Oresti Kasmollari dhe Aurel Marku me Dinamon U-19.
Të sigurta janë mungesat e dy lojtarëve me përvojë, Eni Imamit dhe Ersil Ymerit, që të dy të dëmtuar.
Mbetet për t’u parë, nëse trajneri do t’i japë apo o minuta Sabien Lilajt, që ka lënë pas dëmtimin dhe po stërvitet me grupin, apo Silvio Vokrri e Jordi Jaku që nuk luajtën me Kukësin për shkak të shqetësimeve fizike.
Edhe pse fokusi në miqësoren e sotme është tek elementë të tjerë, blutë kanë mundësinë të marrin një fitore që shërben edhe në planin moral.
Në fundjavë do të luajnë miqësoren e tretë me Teutën e Superiores. Te Dinamo presin më shumë, ndonëse janë në pozita kryesuese në kampionat.
Me ndihmën e kësaj periudhe pushimi dhe me rikthimin e të gjithë lojtarëve që kanë pasur probleme, ndoshta kryeqytetasit do të jenë më bindës.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
