Tjetër goditje për Laçin, sulmuesi mbyll vitin me kurbinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2019 | 21:01

Tjetër goditje për Laçin, sulmuesi mbyll vitin me kurbinasit

Laçi ka bërë shumë mirë në javët e fundit nën drejtimin e Armando Cungut, por trajneri shkodran është i detyruar që ta mbyllë fazën e dytë me një grup të reduktuar lojtarësh.

laci

Sikur të mos mjaftonin largimet e mëparshme, së fundmi kurbinasit kanë marrë një tjetër goditje. Në fakt, nuk bëhet fjalë për ndonjë titullar, por për një sulmues të ri, që iu bashku kurbinasve në verë si një alternativë për repartin ofensiv. Pikërisht bëhet fjalë për Renato Spahiun, i cili në miqësoren e fundit me Kastriotin, fillimisht u mendua se dëmtimi që mori në këmbën e djathtë ishte i lehtë, por në vijim është konstatuar se 20-vjeçari do ketë probleme të mëdha.

Spahiu ka lënduar kaviljen kështu që e ka mbyllur para kohe këtë vit kalendarik. Në ditët në vijim do të mësohet edhe koha që do i duhet për t’u rikuperuar. Spahiu erdhi në verë si zëvendësuesi i Nuabuezes, por ka arritur të aktivizohet në minutat e fundit të tri ndeshjeve, ku në total ka dhjetë minuta të luajtura në Superiore me fanellën e Laçit. Ndërsa në Kupë, Renato Spahiu i ka luajtur të plota dy ndeshjet e turit të parë ndaj Elbasanit, por pa arritur të shënojë.

Përgatitjet për Partizanin

Skuadra kurbinase, për shkak të kushteve klimaterike, por edhe gjendjes së terrenit stërvitor në Laç, prej kohësh i ka zhvendosur përgatitjet në kryeqytet. Të besuarit e trajnerit Cungu gjatë kësaj periudhe kanë shfrytëzuar kompleksin “Internacional” në Pezë, si dhe kompleksin e FSHF-së në Kamzë, komplekse të cilat i kanë fushat me bar artificial.

Duke ditur se edhe Partizani prej ditësh i ka zhvendosur përgatitjet në Pezë, kurbinasit kanë preferuar që për pak kohë të distancohen nga të kuqtë, që të mos kenë përplasje terrenesh, kështu që punën për ndeshjen ndaj tyre po e kryejnë në Kamzë. Në të shkuarën ka ndodhur shpesh që skuadrat shqiptare që përballen me njëra-tjetrën në fundjavë, gjatë javës kanë pritur sa të mbarojë stërvitjen njëri, që të fillojë punë tjetri.

Distancimi i Laçit i ka dhënë mundësi trajnerit të Partizanit Franko Lerda që të jetë disi më i qetë, pasi në përgjithësi ai kërkon që stërvitjet t’i zhvillojë sa më të izoluara. E përbashkëta e të dyja ekipeve është se janë përgatitur të dyja në terrene me fushë sintetike dhe të hënën do të luajnë në fushë me bar natyral dhe me standardet më të mirë në vite, si ajo e stadiumit “Elbasan Arena”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"