“Titulli vetëm fillimi”, Pioli: Hapin e madh e bëjmë në Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 23:47

“Titulli vetëm fillimi”, Pioli: Hapin e madh e bëjmë në Champions

Stefano Pioli ka marrë vlerësimin e radhës në këtë vit fantastik për të në aspektin profesional. Ai është vlerësuar si “Qytetar Nderi” i Noçetës, një qytezë në provincë të Parmës nga ku e ka edhe origjinën. Pas ceremonisë, trajneri kuqezi ka dhënë edhe një intervistë të shkurtër.

c5526236f8b9a12638d774b8dd447ea2_XL

Sivjet duket sikur çmimet nuk kanë të sosur?

Për mua është një nder i madh sepse jam lindur në këtë vend e për më tepër kryekomunari është mik imi dhe tifoz i Milanit. Jam shumë i lidhur me këtë qytezë dhe për mua është kënaqësi e madhe të tërheq këtë vlerësim.

Duket si rastësi e bukur fakti që Milani këtu sapo ka çelur një kamp për fëmijë që aspirojnë të bëhen pjesë e klubit.

Janë shumë të vegjël për ambicie, por është e drejtë që të kenë ëndrra. Për moshën që kanë duhet vetëm të mendojnë se si të argëtohen duke luajtur futboll. E ardhmja është përpara tyre dhe i pret. Qëllimi i kampit është që fëmijët të socializohen dhe të kënaqen.

Jeni gati për grumbullimin?

Të hënën rifillojmë dhe do të përgatitemi për sezonin e ri me shumë entuziazëm. Në kampionat realizuam diçka speciale, megjithatë e konsiderojmë titullin si pikënisje. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që na presin në kampionat e sidomos në Champions.

Prisni diçka më tepër nga merkatoja?

Kontratat e futbollistëve përfundojnë më 1 korrik dhe praktikisht atë ditë do të nisë edhe merkatoja aktive. Siç thashë, jemi entuziastë për fillimin e një rrugëtimi, teksa për merkaton ka kohë. Klubi i di nevojat dhe çfarë duhet bërë.

Ju çfarë dëshironi konkretisht pasi flitet për mesfushorë e fantazistë?

Unë pres që të shoh të njëjtën uri dhe ambicie në sytë e djemve. Më ka marrë malli për vullnetin e tyre dhe më 4 korrik dua t’i gjej të karikuar. Do të jetë një sezon i vështirë dhe ne do të mundohemi të jemi në lartësinë e duhur.

Sa keni ndryshuar që nga dita kur nisët karrierën si trajner?

Kam ndryshuar shumë dhe është normale që të jetë kështu. Nga përvojat negative dhe pozitive njeriu mëson gjithmonë. Aktualisht jam më i ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e mia. E di që nuk jam fort i ri, por brenda vetes ndihem një djalosh.

Çfarë i uroni qytetit të Parmës në aspektin sportiv?

Është vendi im dhe jam mirënjohës për gjithçka. Si futbollist kam kujtime të bukura, teksa kam disi shijen e hidhur nga përvoja që pata si trajner. Por, siç thashë, mësimet nxirren në çdo situatë. Tani kam më tepër pasion dhe dëshirë për t’u përmirësuar. Uroj që e ardhmja të jetë edhe më e bukur, si për mua ashtu edhe për lojtarët e mi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"