“Titulli ndryshon shumë nga ai me Bajernin”, Leva: Dua të luaj me Leon dhe Kimishin te Barça

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2023 | 17:14

“Titulli ndryshon shumë nga ai me Bajernin”, Leva: Dua të luaj me Leon dhe Kimishin te Barça

Në një intervistë me gazetarin polak Tomas Vlodarçik, Robert Levandovski shprehu edhe një herë dëshirën e tij për Leo Mesin, duke dashur të ndajë dhomën e zhveshjes te Barça me argjentinasin. rl9

“Do të doja të luaja me të këtu. Ai ka ndryshuar stilin e tij vitet e fundit. Është më e lehtë të luash me lojtarë që e kuptojnë futbollin aq thellë sa ai”, tha sulmuesi polak, lider i “Trofeut Pichichi” në La Liga me 22 gola. Leva, i cili bisedoi për një kohë me Mesin të hënën e 8 majit në Paris gjatë dhënies së çmimeve “Laureus”, ka pranuar cilësinë e kampionit të botës në “Katar 2022”.

“Stili i lojës së Leos ka evoluar vitet e fundit. Ai mendon ndryshe, pozicionohet ndryshe në fushë, luan ndryshe topin. Ai ka një sens unik. Ne duhet të bëjmë gjithçka që ai të vijë në Barcelonë. kam dëshirë të madhe të luaj me të”, tha Levandovski.

KIMISH – Këto ditë në Barcelonë nuk flitet vetëm për Lionel Mesin. Ka dhe të tjerë emra të rëndësishëm që qarkullojnë. Mes tyre dhe ai i mesfushorit të Bajernit, Joshua Kimish, me të cilin Levandovski ka luajtur për vite me radhë në Mynih. Jo më kot kur është përmendur emri i tij, ai i ka sugjeruar mesfushorit të kombëtares gjermane që t’i bashkohet Barcelonës.

“Mesazhi im për Joshuan është i qartë, ia vlen të vijë në Barcelonë. Ambienti këtu është shumë më ndryshe nga ai në Mynih te Bajerni. Natyrisht që po flasim për dy klube të mëdhenj, por të përjetuarit të gjërave është e ndryshme në këto dy klube”, tha Levandovski.

TITULL NDRYSHE – Në intervistën e tij Leva ka folur dhe për titullin e fituar pak ditë më parë dhe të festuar të shtunën në mbrëmje me trofeun në “Camp Nou”.

“Jam krenar për sezonin tonë. Fitimi i Ligës dhe Superkupës është një arritje e madhe. Ky titull ka shije ndryshe nga ai i fituar me Bajernin edhe pse atje fitova tetë tituj radhazi. Këtu jemi në tranzicion. Ne po ndërtojmë diçka të re”.

GOLAT – “Nëse do të më kishin thënë se do të shënoja 32 gola në sezonin tij të parë do ta kisha firmosur menjëherë. Por dua të shënoj edhe më shumë deri në fund”.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"