“Titulli ka vlerë në kohën dhe momentin e duhur”, Skuro: Futbolli i mbaruar pa ekipe zinxhir…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2022 | 21:46

“Titulli ka vlerë në kohën dhe momentin e duhur”, Skuro: Futbolli i mbaruar pa ekipe zinxhir…

Kush ka ndjekur Naftëtarin e famshëm të viteve ‘70-‘80, nuk mund të mos e mbajë mend Vladimir Skuron. Beratasi u kthye në idhullin e bardhezinjve me golat e tij, dhe jo më kot, Bashkia Kuçovë e këtij qyteti nuk ka lënë në harresë.

skurooo

Ata i kanë akorduar titullin “Qytetar Nderi” dhe ishte ky shkaku që pas 26 vitesh ai është kthyer nga emigracioni. Ish-sulmuesi që gjatë karrierës së tij është aktivizuar edhe me Partizanin e Tomorit, pa harruar edhe ekipin tonë kombëtar, flet për “Panorama Sport”. Ai e quan titullin e vonuar, por nuk harron në analizën e tij edhe situatën kritike që kalojnë prej vitesh futbolli beratas dhe ai kuçovar.

“Rikthimi nga emigracioni më ka sjellë emocione të forta. Kisha mall dhe sapo shkela në Shqipëri pata përzierje kujtimesh, për gjithçka kam dhënë nga futbolli. Këta tituj kanë vlerën e tyre, por për mua vlejnë më shumë kur ata vijnë në kohën dhe momentin e duhur. U bëra ‘Qytetar Nderi’, gati katër dekada e gjysmë pasi jam shpallur ‘Mjeshtër i Madh’. Zyrtarët e bashkisë më dhanë një copë letër, që ishte e vonuar dhe nuk i shkon staturës e kontributit tim për futbollin dhe qytetin naftëtar. Megjithatë, nuk dua të merrem me zyrtarë aparatçikë. Sot kam kënaqësinë kur takoj dhe flas me ish-shokët dhe miqtë e mi të dikurshëm në fushë dhe tifozërinë që e kemi lumturuar e na ka dhënë aq shumë sadisfaksion.

Gjendja aktuale dhe ringritja e Naftëtarit dhe Tomorit? Interesohem vazhdimisht për dy skuadrat me të cilat e nisa dhe e mbylla futbollin, Naftëtarin dhe Tomorin. Është e pafalshme që prej vitesh vuajnë në nivelin e dytë dhe të tretë të kampionatit shqiptar, ndërsa historia dhe tradita i kërkon në elitë. Por jam i bindur se të dyja ekipet po ‘korrin’ atë që kanë ‘mbjellë’ dhe nuk është vetëm mungesa e ekipeve të zinxhirit dhe procesi i privatizimit që përbën bazën e suksesit. Por më keq akoma, më vjen mirë që e them, por konstatimi im ka brenda logjikën e fakteve. Si në Kuçovë ashtu edhe në Berat, vite më parë janë punësuar njerëz të paaftë që s’kanë pasur asnjë lidhje me profesionalizmin. Ndaj dhe dështimet kanë pasuar njëra-tjetrën dhe ndodhen në këtë gjendje edhe pse më kënaq shumë fakti që në Berat drejtojnë pjesëtarë të një dinastie të njohur që e njohin dhe e duan futbollin, siç janë Arbërit me kontribute dhe vlera të mëdha ndër vite te Tomori”, përfundoi Skuro.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"