“Titulli i 29-të”, rrëfimi i presidentit Halili: Unë kam 0% meritë, dua grupet e kompeticioneve europiane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2022 | 22:57

“Titulli i 29-të”, rrëfimi i presidentit Halili: Unë kam 0% meritë, dua grupet e kompeticioneve europiane

Tirana është kampione falë Refik Halilit. Ai është financuesi i skuadrës. Presidenti i Tiranës dha opinionin e tij për këtë kampionat dhe për të ardhmen e ekipit në një intervistë për “Panorana Sport”.

refikhalili-1

Pranoi se për bardheblutë është titulli i 29-të, ndërsa foli për Shehin edhe të ardhmen e tij.

Çfarë do të thotë për ju titulli?

Të fitosh një titull është gjë shumë e madhe. Klubit tonë i shtohet edhe një trofe tjetër. Shkojmë në 29 edhe pse zyrtarisht kemi 26. Falënderoj të gjithë. Ka qenë një grup i jashtëzakonshëm. Nuk ka sjellë asnjë problem gjatë gjithë vitit. Dua që të shkojnë bashkë në Europë. Të bëjmë më të mirën për të bërë atë që nuk kemi bërë sot. Të shkojmë në grupet e kompeticioneve europiane. Për të mos harruar kampionatin e ardhshëm.

Sa përqindje për këtë meritë ka presidenti?

Presidenti 0%. Meritën e ka stafi, lojtarët. Unë kam qenë në hije. S’kam dhënë kontribut fare.

Ky është trofeu më i bukur?

Çdo trofe ka vlerën e vet. Ka sakrificën e futbollistëve. Unë jam mirënjohës ndaj çdo futbollisti në të shkuarën dhe në vazhdimësi për kontributin dhe për sakrificën që ka bërë për klubin tonë. Jam shumë i lumtur me këtë grup futbollistësh që jam shpallur kampion, siç kam qenë i lumtur dhe në vitet e tjera, por ky ka qenë një kampionat shumë i bukur.

Ka qenë një grup lojtarësh i shkëlqyer, pa pasur asnjë lloj shqetësimi gjatë gjithë kampionatit. Kjo vjen si rezultat dhe nga dora e stafit, në veçanti nga drejtori Osmani dhe nga trajneri ynë Shehi. Pa tifozët nuk ka vlerë. Frymëmarrja, oksigjeni i skuadrës sonë është tifozëria jonë, që është një tifozëri e mrekullueshme.

Kujt ia dedikoni këtë trofe?

Ja dedikoj familjes sime, familjes së madhe bardheblu, futbollistëve dhe familjeve të futbollistëve për sakrificën e tyre.

Trajneri Shehi është zyrtarisht i Tiranës?

Trajneri do të jetë pjesë e skuadrës sonë, është e padiskutueshme kjo. Kemi arritur një marrëveshje shumë të shpejtë të dy bashkë. Të dy kemi dëshirë që këtë klub ta çojmë sa më parë, gjithashtu me stafin e drejtorin, Tefik Osmani i cili ka qenë një njeri që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, ka qenë një drejtor shumë i aftë. I gjithë stafi, pa përjashtim, deri te punonjësi më me vlerë që kemi, Hajdari, i falënderojmë të gjithë. Tani jam i gëzuar dhe më lini të gëzoj e festoj.

Kur e kuptuat që do të dilnit kampionë?

Pak a shumë u pa në kohë ecuria e rezultateve. Shenja ishte që shënonim shumë gola. Pika më e fortë është ndeshja që kishim me Laçin. Ishte fati ynë. Edhe Laçi ishte skuadër shumë e mirë, pa përjashtuar skuadrat e tjera. Kampionati ishte i fortë. Fati dhe grupi na bëri që të jemi përpara të tjerëve.

OLSI AVDIAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"