Titulli i 26-të për Tiranën, ja “shpatullat” e Shehit në suksesin bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2022 | 17:33

Titulli i 26-të për Tiranën, ja “shpatullat” e Shehit në suksesin bardheblu

Orges Shehi nuk është njeriu i vetëm që drejton skuadrën. Në prapaskenë është një ushtri e tërë që punon për bardheblutë. Edhe pse ka ndonjë që nuk do të prononcohet, duke filluar që nga ndihmësi Fagu e deri te magazinieri Hajdar Karaj, ja cilët janë krahët e Orges Shehit.

bandicam 2022-05-26 19-20-48-330

ERBIM FAGU (TRAJNER I DYTË):

“Është një situatë shumë e bukur, pasi është kënaqësi e madhe të dalësh kampion me skuadrën që ti je rritur, kështu që duhet ta shijojmë këtë titull komplet të merituar. Titullin ia dedikoj familjes, sepse ka qenë mbështetje shumë e madhe për mua. M’u desh që ta lija nga fundi skuadrën, por mendoj që këto i ka jeta. Duhet të vazhdojmë përpara. Unë jam shumë i lumtur që Tirana doli kampione dhe të ketë vazhdimësi që të shkojë sa më larg. Kam shumë besim që do të bëjnë gjëra të mëdha, duke filluar nga presidenti, drejtori te punëtori i fushës”.

KRISTI VANGJELI (TRAJNER I DYTË).

Pjesë e stafit dhe ndihmësi i Orges Shehit, Kristi Vangjeli fiton një tjetër titull kampion, por këtë herë jo si lojtar, por si trajner. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Vangjeli tregon çfarë ndjesie po përjeton për këtë titull kampion: “Për mua është i veçantë sepse jam në një pozicion të ri dhe më jep një tjetër kënaqësi. Si sezonin e parë si trajner dhe direkt një trofe është diçka e rëndësishme për mua. Tirana është ekipi i parë që më dha mundësinë për të vazhduar karrierën në atë që unë kam më shumë kënaqësi për të bërë pas lënies së futbollit, që të ndjek rrugën e trajningut”, përfundoi fjalën e tij Kristi Vangjeli.

ALFRED OSMANI (TRAJNER I PORTIERËVE):

“Të jesh kampion është kënaqësi e madhe. Falënderojmë të gjithë tifozët që kanë ardhur dhe na kanë mbështetur gjatë gjithë vitit dhe në çdo moment. Ky titull është për familjen time në radhë të parë dhe për nënën time. Dua t’i përshëndes të gjithë. Objektivi i radhës. Faza e grupeve do të ishte shumë e bukur. Uroj që t’ia arrijmë. Kam besim se do të bëjmë diçka shumë të mirë”.

KOSTA JANI (TRAJNERI I PËRGATITJES FIZIKE):

“Sa herë që del kampion është kënaqësi e veçantë. Çdo titull të shijon njësoj. Ne që merremi me ekipin kërkojmë dhe punojmë që skuadra të fitojë sa më shumë tituj. Është krenari e madhe që jemi pjesë e këtij titulli dhe kësaj skuadre. Këta djem unë mendoj se nuk e kanë kapur ende majën. Kanë shumë për të dhënë. Në datën 6 jemi gati për punën e fazës përgatitore që të jemi gati për ndeshjet e Europës”.

HAJDAR KARAJ (MAGAZINIERI):

“Për mua është titulli i tetë kampion. Jam i lumtur edhe pse te Tirana duhet të jesh burrë, i fortë. Mendoj se ky titull i takon Refik Halilit, sepse ka kontribuar gjithë ato vite me Tiranën me paratë e fëmijëve të tij. Pastaj vjen ekipi, stafi dhe tifozët. Në veçanti unë nuk kam ndonjë lojtar të veçantë gjatë këtyre 20 viteve, por do të veçoja Erando Karabecin, por të gjithë janë djem fantastikë. Janë ekip shumë i fortë, ekip kompakt dhe lojtarë cilësorë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"