Titulli, Europa dhe mbijetesa. Ja llogaritë e Superiores në fundin e çmendur të sezonit

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Maj 6, 2017 | 23:37

Titulli, Europa dhe mbijetesa. Ja llogaritë e Superiores në fundin e çmendur të sezonit

Rezultatet e ndeshjeve të javës së 32-të të Kategorisë Superiore kanë bërë edhe më të paparashikueshëm fundin e këtij kampionati ku thuajse për çdo objektiv të mundshëm luftojnë 3 apo 4 skuadra. Nga titulli, te vendi i katërt që të çon në Europë e deri te mbijetesa, ka shumë kryqëzime të rrezikshme të skuadrave të përfshira.

kategoria superiore trofeu

Titulli

Lufta për titull kalon mes tre skuadrash: Kukësit, Partizanit dhe Skënderbeut. Se kush do të festojë me trofeun në duar, me siguri do të mësohet vetëm më 27 maj, pasi deri atëherë parashikohet që të tre të mbeten plotësisht në garë.

Më i avantazhuar mbetet Kukësi, që ka në favor të tijin si bilancin në ndeshjet direkte me Partizanin, ashtu edhe kalendarin. Dy ndeshjet më të vështira, ndaj Flamurtarit dhe Skënderbeut, skuadra e Gjokës i pret në fushën e vet në këtë mbyllje të ethshme të sezonit.

kupa-trofeu

Titulli i Partizanit kalon vetëm nga gabimi i mundshëm i Kukësit. Të kuqtë janë të ndërgjegjshëm se edhe katër fitore mund të mos u mjaftojnë për të bërë të tyrin titullin, pasi nëse verilindorët bëjnë të njëjtën gjë, titulli u shkon atyre. Shpresa e Partizanit qëndron te dueli Kukësi-Skënderbeu.

Katër fitoret janë rruga e vetme që ka Skënderbeu në ndeshjet e mbetura për të marrë titullin e 7 radhazi. Por është edhe rruga më e vështirë me një kalendar masakrues përballë ekipesh që luftojnë për mbijetesën e dy rivalëve direkt për titull.

Vendi i katërt

Nuk është e sigurt, por vendi i katërt në kampionat mund të dhurojë një vend në Ligën e Europës. Ndeshja kyç është pikërisht ajo e mesjavës, mes Vllaznisë dhe Luftëtarit, me shkodranët që ndjekin me një pikë në renditje gjirokastritët.

vllaznia luftetari

Vetëm 3 pikë në 5 ndeshjet e fundit për secilën skuadër, u kanë dhënë disi shpresa edhe Teutës e Flamurtarit, sidomos nëse ky i fundit rimerr pikët që i janë hequr nga FSHF.

Mbijetesa

Me Korabin e rënë, Laçi e Tirana janë ekipet më të rrezikuara për t’iu bashkuar në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm. Ndeshjet direkte, mes skuadrave që ndajnë të njëjtën kuotë pikësh, flasin për kurbinasit. Por bardheblutë kanë në avantazh një kalendar disi më të “thjeshtë”, pasi një nga ndeshjet e mbetura, e vë përballë Korabit. Disi e cuditshme të bësh këto llogari kur kujton se bardheblutë mund të luajnë në Ligën e Europës në sezonin e ardhshëm nëse marrin Kupën.

tirana laci1

Datat dhe orët e secilës prej “finaleve” që luhen për objektivat e mësipërm, i gjeni në kalendarin e mëposhtëm.

KALENDARI DERI NË MBYLLJE TË SEZONIT

JAVA 33

10.05.2017

Kukësi-Flamurtari 16:00

Vllaznia-Luftëtari 16:00

Partizani-Laçi 19:00

Teuta-Skënderbeu 19:00

11.05.2017

Tirana-Korabi 19:00

JAVA 34

14.05.2017

Luftëtari-Teuta 16:00

Laçi-Vllaznia 16:00

15.05.2017

Korabi-Kukësi 16:00

Skënderbeu-Tirana 19:00

Flamurtari-Partizani 19:00

JAVA 35

20.05.2017

Tirana-Luftëtari 17:00

Flamurtari-Laçi 17:00

Partizani-Korabi 17:00

Teuta-Vllaznia 17:00

Kukësi-Skënderbeu 17:00

JAVA 36

27.05.2017

Vllaznia-Tirana 17:00

Korabi-Flamurtari 17:00

Luftëtari-Kukësi 17:00

Laçi-Teuta 17:00

Skënderbeu-Partizani 17:00

renditja superiore





www.minuta90.com