Titulli, Baloteli dhe diskot, kur Leonardo Bonuçi ishte interist…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2017 | 10:25

Titulli, Baloteli dhe diskot, kur Leonardo Bonuçi ishte interist…

“Turne në Abu Dabi, Interi kërkon një portier të vitlindjes 1987 dhe te Viterbese luan Goleti, kushëriri i Leonardos. E marrin, në atë kohë ne bindëm edhe Xhiuzepe Barezin të merrte edhe Bonuçin. Ai pranoi, në fund Interi firmos për një huazim falas me blerje për 40 mijë euro”.

Inter Bonuci

Kështu nis historia e Leonardo Bonuçit në Milano; jo me Milanin, por me Interin. Ta shikosh tani me atë fanellë krijon ndjesi të çuditshme. Rrëfimi është i Serxhio Inoçentit, vëzhguesit zikaltër që e pikasi dhe ua raportoi drejtuesve.

Inoçenti tregon se në fund të vitit dikush nga Interi dëshironte ta konfirmonte Leon, disa të tjerë jo, por e rëndësishme është që ka shkuar gjithçka mirë. Bonuçi shkoi tek Interi në vitin 2005, zhvilloi dy sezone me skuadrën e moshave dhe fitoi kampionatin: finale me Sampdorian, rezultati përfundimtar 1-0, gol i Balotelit nga 11 metrat.

AMBICIE

Një skuadër plot me talente, edhe pse horoskopi nuk u premtoi të gjithëve një të ardhme. Baloteli ishte i përzgjedhur, u bë numri 9 i përfaqësueses italiane, por dha më pak sesa pritej. Leo ishte më pak i prituri dhe Paolo Tornagi, portieri i asaj skuadre, i përmbledh të gjithë:

“Në atë kohë mendoja se në maja do kishte shkuar Baloteli, Bolconi, Ribas dhe Biabiani. Leo fillimisht qëndronte në pankinë në vend të Meit, një i ’89-ës, por donte të tregonte vlerat, ishte gjithmonë i përqendruar. Përqendrimi ishte arma e tij: nuk kishte saktësi të mëdha teknike, por ka mësuar shumë”.

Rrëfimi i historisë është thuajse i njëjtë edhe nga të tjerët. Bolconi thotë që Leo kishte karizëm: “Nuk lejoi të kushtëzohej nga mosbesuesit”. Të gjithë shtojnë se Leo kishte prezencë prej lideri. Vinçenco Espozito, trajneri, e kujton kështu: “Kisha një grup ekspertësh me të cilët konsultohesha. Fautario, Bonuçi, Filjomeni, Tornagi. Përpara finales klubi më kërkoi nëse na duhej Andreoli, një i vitlindjes ’86, si përforcim.

Lojtarët m’u përgjigjën se kishin arritur deri në fund me forcat e tyre, donin ta përballonin vetë. Dy orë përpara ndeshjes, dikush pa Balotelin me një akullore gjigante në dorë, kundër çdo rregulli. Konsultova të tjerët: “Sipas jush, duhet ta lë jashtë?”. Vendosën të mbyllin njërin sy. Leo nuk kishte shpejtësi në start, por kërkonte shumë nga vetja dhe ishte inteligjent”.

DISKOTEKA

Shoku i dhomës së Leos ishte Xhiuzepe Filjomeni, sot te Foxhia. Të tjera histori: “Unë, ai dhe disa të tjerë vinim në lojë Balotelin, që përdorte një kapelë me kafkë në vend të asaj me ngjyrat zikaltër. Ne i thoshim: ‘Mario, na mërzite’. Ai: ‘S’ka rëndësi, paguaj gjobën’. Një të diel, unë dhe Leo donim të shkonim në diskotekë dhe Mario këmbëngulte: ‘Do vij dhe unë’. Normalisht, nuk mundej, ishte minoren. E binda Leon që ta merrte dhe ai më tha, me seriozitet: ‘Mario, nëse na kapin të vras'”. Dhe i kapën…

REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"