Titullari prish planet e Cungut, Laçi me mungesë të rëndësishme ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2019 | 14:19

Titullari prish planet e Cungut, Laçi me mungesë të rëndësishme ndaj Partizanit

Laçi po kalon një moment të shkëlqyer në kampionat, teksa vjen pas katër fitoreve radhazi. Nga një skuadër që në fazën e parë ishte në fund të tabelës, tashmë kurbinasit janë vetëm tri pikë më pak se Partizani kryesues, me të cilin do të luajnë të hënën në “Elbasan Arena”. 

laci

Kjo është një përballje e një rëndësie të veçantë për skuadrën e Armando Cungut, pasi duke qenë në formë, ka shansin të tregojë ndaj kampionëve në fuqi se do të jetë edhe ajo pretendente për titull këtë sezon. Cungu e ka anashkaluar këtë çështje sa herë është pyetur, ndërkohë që në fillimin e sezonit, ish-trajneri Sulejman Starova pati guximin të thoshte se edhe Laçi do të luftojë për vendin e parë.

Duket se profecia e “Bobit” po del tashmë, ndërsa është Cungu që po merr frytet e një pune të nisur që në qershor. Në prag të ndeshjes me Partizanin, Laçi ka një mungesë të konfirmuar, pikërisht atë të mbrojtësit të djathtë, Abdurrahman Fangaj. Ky i fundit është një prej lojtarëve më stabël në formacion dhe duke pasur parasysh që në atë pozicion nuk ka alternativa, ia prish shumë planet Cungut.

abdurrahman fangaj

Gjasat më të mëdha janë që në vend të Fangajt të luajë Ardit Deliu. Ky i fundit është përdorur qoftë si mesfushor shkatërrues, ashtu edhe në krahun e djathtë. Spostimi i tij në mbrojtje, pritet të hap një vend në mesfushë, aty ku luftojnë për një fanellë titullari emra si Ymeri, Berisha dhe Zaimaj.

Në seancat e fundit, Cungu ka provuar disa herë ekipin që pritet të luajë nga minuta e parë ndaj Partizanit, duke konfirmuar formacionin fitues, me përjashtim të një ndryshimi të detyruar. Kurbinasit janë të karikuar për të mos e ndalur hapin.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"