Titullari i Besës ngre alarmin: U frikësohem dëmtimeve, koronavirusi është ende prezent

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2020 | 22:18

Titullari i Besës ngre alarmin: U frikësohem dëmtimeve, koronavirusi është ende prezent

Një ndër shtyllat e Besës të këtij sezoni është qendërmbrojtësi Erjon Xhafa. Falë përvojës së gjatë që ka, ai ka qenë një “trajner” në fushë për të rinjtë Kacbufi, Shimaj dhe Zeqiri. Këta dy muaj pa futboll nuk kanë qenë të lehtë as për të, e megjithatë pushimin e ka shijuar. Ka pasur më shumë kohë për të qëndruar pranë familjes.
download

“Po kaloj ditë të shkëlqyera pranë familjes, – thotë Xhafa për “Panorama Sport”. – Angazhimi ynë në futboll na privon mjaft për qëndrimin me familjen. Sigurisht, për asnjë moment nuk e kam ndërprerë stërvitjen individuale. Kam bërë çdo ditë stërvitje, madje dy herë në ditë. Ne që kemi disa vite karrierë mbi shpinë, jemi koshientë se vetëm një stërvitje e rregullt dhe e fortë na mban në tonus”.

PASIONET – Lushnjari i Besës zbulon edhe pasionin tjetër veç futbollit. Këtë kohë është munduar që të lexojë sa më shumë, ndonëse pa iu larguar shumë zanatit. “Një kohë kaq e gjatë në shtëpi të jep kohë edhe për të lexuar. Leximi ka qenë dhe mbetet pasioni im. Letërsia mbetet ushqimi i trurit dhe mendjes. Kam lexuar edhe mbi metodologjinë e stërvitjes së Guardiolës, Murinjos, Ançelotit. Krahas tyre, edhe 2 romane i kam mbaruar”, u shpreh 34-vjeçari, i cili gjatë këtij sezoni është aktivizuar në 13 ndeshje.

FRIKA – Duke folur për pjesën e mbetur të këtij kampionati, Erjon Xhafa i mëshon edhe rrezikut që u kanoset lojtarëve nga ndërprerja e stërzgjatur. Frika e madhe lidhet me dëmtimet, por edhe me zbatimin e masave nga ana e klubeve për të ndalur përhapjen e Koronavirusit.

“Vërtet jemi stërvitur individualisht, por janë tjetër gjë 90 minutat në fushë. FSHF-ja ka propozuar masat anti-‘COVID’ dhe përgatitjet mund të startojë javën e ardhshme, por jam disi skeptik. Përderisa virusi është prezent, edhe ne lojtarët jemi të rrezikuar si të gjithë qytetarët e tjerë. Jam njohur me protokollin e masave të FSHF-së dhe vërtet janë precize e të sakta. Ajo që kam pak frikë mbetet fakti nëse të gjitha klubet do t’i zbatojnë në mënyrë rigoroze këto masa. Kur them këtë, kam parasysh klubin tonë. Besa është e detyruar të luajë vetëm në fusha të tjera, të paktën këtë sezon”, përfundoi qendërmbrojtësi i kavajasve.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"