Titullarët në fushë, Luftëtari kërkon kualifikimin ndaj Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2017 | 12:02

Titullarët në fushë, Luftëtari kërkon kualifikimin ndaj Bylisit

Luftëtari ia bëri të vështirë vetes pas humbjes në Ballsh me shifrat 2-1 ndaj Bylisit në ndeshjen e parë. Në këto kushte, sot trajneri Hasan Lika nuk do të kursejë asnjë titullar, pasi s’do surpriza, për më tepër që Bylisi vlerësohet në maksimum nga gjirokastritët. Në seancën e djeshme stërvitore, trajneri Lika ka punuar më shumë nga ana taktike duke zbardhur në njëfarë mënyre edhe formacionin.

Luftetari3

Të gjithë futbollistët kanë shfaqur agresivitet në seancën e djeshme, teksa mungesa e vetme ishte mesfushori Albano Aleksi. Ky i fundit u dëmtua në takimin ndaj Kamzës, në një kohë që llogaritet si mungesë edhe për sfidën e së dielës kundër Partizanit për kampionat, pasi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Lika do t’i besojë sot formacionit që hodhi në fushë edhe ndaj Kamzës duke filluar me Ruçin në portë.

Në mbrojtje do të jetë Rrapa nga e djathta, Zeqja e Beqiri në qendër, si dhe Zguro në të majtë. Në mesfushë ndryshimi i vetëm është aktivizimi i Donald Rapos në krahë të Ramadanit. Ndërsa Rroca, Bregu, Abazaj dhe Lamçja do të formojnë sulmin bluzi. Kupa e Shqipërisë është një objektiv për Luftëtarin këtë sezon, madje vetë presidenti Grigor Tavo, që në fillim ka deklaruar se do të kërkohet t’i shkohet deri në fund këtij kompeticioni.

Në rast kualifikimi, atëherë Luftëtari gjen Laçin në turin çerekfinal, teksa ndeshja e parë do të luhet në transfertë. Gjithsesi, sot bluzinjtë kanë një detyrë jo të lehtë ndaj ballshiotëve që po bëjnë një performancë të mirë në kampionatin e Kategorisë së Parë duke rivalizuar me Tiranën për ngjitjen në Superiore.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"