Titullarët mbeten në Berat, Tomori me rezervat në Pezë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2023 | 11:00

Titullarët mbeten në Berat, Tomori me rezervat në Pezë

Rezultati i ndeshjes së parë ndaj Laçit në shtëpi, i ka ndërgjegjësuar drejtuesit e Tomorit, që në ndeshjen e kthimit që do të luajnë ditën e sotme në Pezë, s’kanë asnjë shans për sa i përket kualifikimit.

Collage Maker-02-Feb-2023-10.52-AM

Kështu, ata kanë kthyer sytë nga ndeshja e radhës në kampionat përballë Besës, që do të luhet të dielën. Sfidën e sotme në Berat e konsiderojnë si një akt formal të eliminimit të tyre dhe kjo është arsyeja që do të udhëtojë skuadra e dytë, së cilës, do t’i duhet që në respekt të kompeticionit, të bëjë një prezantim dinjitoz. Pra, sot në Pezë ndaj Laçit ekipi beratas do të jetë me rezervat, ndërsa titullarët do të stërviten nga trajneri i parë, Klodian Arbri, në Berat. Zv.trajneri i Tomorit, Polizoi Arbëri, i cili do të drejtojë sot nga pankina skuadrën beratase, foli për “Panorama Sport” në prag të takimit të kthimit.

“Përtej diferencës me skuadrën vendëse, që duhet ta pranojmë me koshiencë, që është e kualifikuar që pas takimit të parë, ne do të bëjmë lojën tonë. Futbollistët tanë nuk do të udhëtojnë thjesht sa për formalitet, pasi duhet të tregojnë vlerat dhe kapacitetin e tyre, sepse janë alternativa për formacionin. Ne si staf sigurisht që do të mbajmë shënime, sepse do të na duhet që performanca e tyre në Kupë, të na vlej që t’i llogarisim për alternativa të besueshme për ndeshjen me Besën në kampionat”, ka thënë numri dy i pankinës beratase, Polizoi Arbëri.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"