Titullar tek Laçi, mesfushori: Ia dalim të sigurojmë zonën e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2018 | 17:57

Titullar tek Laçi, mesfushori: Ia dalim të sigurojmë zonën e Europës

Pas 16 javëve kampionat, Laçi e sheh veten në zonën europiane, duke u konfirmuar si skuadra surprizë e pjesës së parë të sezonit. Edhe pse klube të tjera të Superiores preferuan të udhëtonin drejt Turqisë, skuadra e presidentit Pashk Laska zgjodhi të kryente fazën përgatitore në kompleksin e Kamzës në kryeqytet.

laci

Trajneri Gentjan Mezani ka provuar në këto ditë disa lojtarë të rinj, të cilët janë aktivizuar në miqësoret ndaj Dinamos dhe Kastriotit. Zyrtarisht pjesë e bardhezinjve janë bërë Ndriçim Shtubina, Silvio Zogaj dhe Arbër Beqaj. Nga ana tjetër, gjasat janë që të rikthehet në formë huazimi edhe qendërmbrojtësi Bruno Lulaj nga Skënderbeu. Mirëpo, garancia e këtij Laçi duket se janë të rinjtë dhe një prej tyre është mesfushori i talentuar, Kejvi Bardhi, i cili ka fituar vendin e titullarit.

Në një bisedë për “Supersport”, ai shpreh dëshirat për vitin 2018. “Stërvitja po ecën mirë dhe konkurrenca në ekip është shumë e fortë. Shpresoj të vazhdoj të jem titullar në skuadër. Po punoj fort për këtë”, theksoi Bardhi, për të folur më pas në lidhje me objektivat e klubit. “Besoj se do të mbajmë ritmin dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë deri në fund. Me këto rezultate të arritura deri në këtë moment, duhet të shkojmë në Europë, por jemi me këmbë në tokë”, përfundoi Bardhi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"