Tirana “zhduk” titullarët e sfidës së Elbasanit/ Kampionët, gjysma e skuadrës mungon nga derbi i fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2022 | 20:13

Tirana “zhduk” titullarët e sfidës së Elbasanit/ Kampionët, gjysma e skuadrës mungon nga derbi i fundit

Derbi i së dielës është te dera, ndërsa te Tirana janë të qetë. Skuadra ka mbyllur takimin e Kupës dhe me shumë mundësi kualifikimin për në turin tjetër. Gjithsesi, tej ndeshjes së Kupës vëmendja është te derbi me Partizanin. Bardheblutë vijnë në këtë sfidë si fituesit në derbin e fundit.

TIRANA 1

Dhe për çudi nga 11-shja që ka mundur Partizanin 2-1 në “Air Albania”, që solli edhe titullin kampion, kanë mbetur vetëm gjysma e skuadrës dhe më pak do të luajnë në sfidën me të kuqtë këtë të diel. Lojtarët që kanë qëndruar në ekip janë: Visar Bekaj, Kristijan Toshevski, Florian Përgjoni, Marsel Ismajlgeci, Zhoselin Behiratçe dhe Vesel Limaj. Përgjoni me shumë mundësi nuk do të luajë këtë derbi ashtu si edhe Behiratçe, pasi mund të aktivizohet Lulaj.

Në këto kushte nga skuadra e derbit të fundit mbeten vetëm katër lojtarë. Kampionëve të Shqipërisë u janë larguar pesha të rënda si Erjon Hoxhallari, Ardit Toli, Engjëll Hoti, Enur Totre, Taulant Seferi, duke mos llogaritur si emra të tjerë si Muça, Beshiraj, Ngo. Në fushë nuk do të jenë dy golashënuesit Totre dhe Seferi, të cilët janë në Ukrainë.

TIRANA

FORMACIONI – Në prag të sfidës me Partizanin, trajneri Orges Shehi duhet të marrë vendime të mëdha se kë do të lërë në fushën e lojës. Me plotësimin e grupit dhe kthimin e Najdovskit e Toshevskit, Shehi duhet të sakrifikojë. Duke filluar nga mbrojtja deri në sulm. Në mbrojtje, Përgjoni është në pikëpyetje për të luajtur, ashtu si edhe Behiratçe, që mund të humbasë pozicionin dhe në vend të tij të luajë Bruno Lulaj.

Në mesfushë Limaj, Kallaku, Deliu dhe Aleksi luajnë për tri vende në derbi. Sulmi me shumë mundësi do të jetë me Patrikun, Xhixhën dhe Hasanin, por nëse mesfusha nuk ndryshon dhe luajnë katër lojtarët, atëherë braziliani Patrik mund të qëndrojë në stol. Thënë shkurt, Shehi ka një problem të madh.

Kush do të luajë në derbi, sepse në analizën e mësipërme mungojnë edhe emra si Berisha, Hila apo të tjerë, të cilët janë gati për të marrë minuta apo një fanellë titullari në ndeshjen më të rëndësishme derbi, atë me Partizanin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"