Tirana, tjetër “gjobë” nga FIFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2015 | 17:17

Tirana, tjetër “gjobë” nga FIFA

tiranaPërtej sikleteve që po kalon Tirana prej daljes nga objektivat, një tjetër i shtohet. “Gjyqet” e humbura vazhdojnë të rëndojnë situatën e klubit, teksa lista e borxheve sa vjen edhe rritet. Më e fundit vjen nga Italia, konkretisht nga Françesko Pigoni.

Ish-mbrojtësi i Tiranës ka fituar procesin gjyqësor në FIFA dhe këta të fundit pak ditë më parë kanë dërguar një shkresë në zyrat e bardhebluve, ku i komunikojnë se duhet t’i paguajnë afro 12 mijë euro brenda një afati të përcaktuar, në të kundërt rreziku do të jetë i madh, që shkon deri në heqje pikësh. Shifër kjo që vjen nga pagat e prapambetura. Kujtojmë që ky futbollist ka qenë në radhët e kryeqytetasve në sezonin 2012-2013 dhe ka luajtur jo më shumë se 7 ndeshje gjatë aventurës në Shqipëri.

E, megjithatë, kostoja duhet shlyer me çdo kusht, pasi zgjidhje tjetër nuk kanë. Në rast se skuadra do arrijë që të kualifikohet në Ligën e Europës (gjithnjë nëse renditet e 4-ta dhe fiton Kukësi), atëherë nga shuma që përfitohet nga pjesëmarrja, paratë kalojnë me vendim të ndërkombëtarëve menjëherë në llogarinë e lojtarëve që u detyrohen dhe që kanë fituar çdo proces gjyqësor.

E sidoqoftë Tirana ka gjetur një zgjidhje për këtë rast. Zëdhënësi për mediat, Arbi Laçi, ka konfirmuar se studioja juridike që po merret me këtë rast ka arritur një akord që pagesa të bëhet me këste. “Studioja juridike që mbron interesat e klubit, e cila po merret edhe me këtë çështje, ka arritur dakordësinë me kompaninë që mbron interesat e ish-lojtarit Françesko Pigoni. Shuma do jepet në këste dhe është vendosur një shtyrje afati. Kjo do të thotë se nga ky rast Tirana nuk rrezikon, pasi gjithçka do të mbyllet në kohë”, sqaroi zëdhënësi për çështjen në fjalë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"