Tirana thyen Elbasanin, vulosin Bushiç e Morina

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2014 | 9:51

Tirana thyen Elbasanin, vulosin Bushiç e Morina

Shkupi-TiranaELBASANI-TIRANA 0-2
GOLAT: Bushiç 28′, Morina 40′
ELBASANI: Kotorri, Shazivari, Basriu, Pisha, Vogli, Hyshmeri, Hila, Gava, Merxha, Bylykbashi, Çota; Trajner: I. File. (U aktivizuan: Ruci, Toçi, Musta, Lamçja, Jaupi, Rodrigues, Dosti, Imami).
TIRANA: Frashëri, Kërçiku, Muça, Pashaj, Idrizaj, Morina, Bulku, Karabeci, Ndikumana, Bakaj Bushiç; Trajner: G. Magani. (U aktivizuan: Malaj, Kalari, Vrapi, Hoxhallari, Peposhi, Sorra, Olaki).

Tirana thyen sërish Elbasanin, por këtë herë në takimin e luajtur në stadiumin “Karaorman” të Strugës. Golat e Bushiç dhe Morinës u kanë mjaftuar bardhebluve në këtë test, që nxori në pah vlerat e ofensivës. Golat erdhën falë aftësive të Elis Bakajt, i cili ishte edhe njeriu asist në këtë përballje. Kryeqytetasit dominuan 90-minutëshin, ndonëse edhe ekipi elbasanas pati rastet e veta, por nuk u tregua i saktë në finalizim.
Ndeshja Loja nis e shpejtë për Tiranën që shumë shpejt shfaq supermacinë në fushë. Në të 28-n minutë bardheblutë arrijnë që të zhbllokojnë edhe shifrat, falë golit të Bushiç. Bakaj fut një top në zonë me një gjysmë kthese, Morina i ndodhur në zonë gjuan, por grushton Kotorri. Sulmuesi kroat, i cili ndjek aksionin, zgjat këmbën dhe e dërgon topin në rrjetë dhe 1-0. Minutat pasuese ofrojnë lojë të fortë në mesin e fushës, me bardheblutë që janë më të qartë se Elbasani. Rastet nuk mungojnë, teksa herë pas here nga të dyja kampet ka tentativa me gjuajtje nga larg, por pa sukses. Në të 35-n Morina provon të zërë në befasi me një parabël, por Kotorri e dërgon në goditje këndi. Reagojnë verdheblutë në të 39-n, Bylykbashi me një diagonale nga e majta, por topi përfundon vetëm pak centimetra jashtë kuadratit të Frashërit. Kundërsulm i shpejtë i Tiranës, teksa në të 40-n Bakaj jep një top në zonë për Morinen që godet dhe shënon 2-0 për bardheblutë. Pjesa e parë mbyllet me këto shifra. E dyta nis me ndryshime në formacionet respektive. Ekipi i Files luan më mirë në këtë pjesë të dytë, shfaqen disa herë në kërkim të golit, por janë të pasaktë në finalizim. Në të 60-n minutë, Lamçja ikën bukur nga e djathta, futet në zonë dhe pason për Dalipin që godet, por topi grushtohet nga Frashëri. Sakaq, Tirana organizon lojën më shumë, duke vënë disa herë në vështirësi portën e Kotorrit, por duke mos e kaluar dot vijën fatale. Për sa i përket formacionit të verdhebluve, File në krahasim me tre takimet e kaluara, ka bërë disa ndryshime te titullarët.
Nervat Kur po afrohej fundi i kësaj përballjeje, një incident i pakëndshëm ndodhi. Një tifoz vendës, pra strugan, ka ofenduar kapitenin e bardhebluve, Erando Karabecin. Moment që ka shtuar tensionin, duke qenë se të pranishëm në stadium ishin familjarë të ultrasit dhe kjo u shoqërua me sharje respektive. Megjithatë arriti të shmangej konfrontimi fizik, falë ndërhyrjes së personave që ndodheshin në fushë dhe gjithçka u qetësua. Minutat e fundit të ndeshjes që kishin mbetur nuk sollën asnjë zhvillim. Në fakt raste pati nga të dyja kampet, por rezultati mbeti i pandryshuar.
VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"