Tirana, synohet trofeu i Kupës për t’u “ngjitur” në Kategorinë Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2017 | 9:47

Tirana, synohet trofeu i Kupës për t’u “ngjitur” në Kategorinë Superiore

Rënia nga kategoria ka “njollosur” historinë e lavdishme të Tiranës. Katastrofa nuk mund të zhbëhet, megjithatë sot bardheblutë kanë shansin që të marrin një… kupë. Një trofe që në këto çaste moralisht nuk shërben fort, megjithatë financiarisht pa dyshim që po. Përballë do të kenë Skënderbeun e saposhkurorëzuar si kampion, që do të tentojë që të mos mbyllë edicionin duarbosh.

Tirana tifozet

Ndërsa për Tiranën vlen shumë më shumë se një trofe që do i shtohet arkivës, pasi përkthehet me parà. Favorit përballë korçarëve nuk janë, jo vetëm prej gjendjes psikologjike, por edhe diferencave që kanë në fushë. Por, motivimi i skuadrës së Mirel Josës mund të shtohet kur bën llogaritë, pasi kjo Kupë mund t’i shërbejnë për “ngjitjen” në Superiore.

Federata Shqiptare e Futbollit, sikundër dihet, ofron 50 milionë lekë të vjetër për këtë trofe. Dhe nëse kryeqytetasit dalin fitimtarë nga “Elbasan Arena”, atëherë automatikisht fitojnë të drejtën që të jenë pjesëmarrës në raundin e parë në Ligën e Europës. Vetëm me pjesëmarrjen e “arkës” së tyre, veç shpërblimit të FSHF-së, do i shtoheshin 215 mijë euro.

perfitimet e tiranes

Dhe nëse kalojnë turin e parë të këtij kompeticioni, do të merrnin edhe 225 mijë euro të tjera. Me një buxhet prej afro 477 mijë eurosh, drejtuesit e klubit më të titulluar në vend do të kishin mundësinë që të ndërtonin një ekip solid, që nuk do diskutonte ngjitjen e shpejtë në elitë.

Pra “agonia” në Kategorinë e Parë, një ligë që do ta provojnë për të parën herë në historinë e tyre afro 97-vjeçare, mund të zgjaste vetëm një sezon. Nëse presin një “biletë” për në Europë, pa dyshim që edhe lojtarët do ta shihnin me tjetër sy Tiranën në merkato. Nëse inferiorja nuk shihet me sy fort të mirë prej futbollistëve cilësorë, nuk do mendoheshin dy herë t’i thoshin “po” Tiranës në qoftë se do ishte në zonën “Euro”.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"