“Tirana s’na lodhi”, Rustem Hoxha: Titullin do ta vendosin episodet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2020 | 21:38

“Tirana s’na lodhi”, Rustem Hoxha: Titullin do ta vendosin episodet

Qendërmbrojtësi i Teutës, Rustem Hoxha, është shprehur se është i lumtur për atë që tregoi skuadra e tij në fushë ndaj Tiranës, ku triumfoi 1-0.

rustem hoxha teuta

Për “Panorama Sport”, Hoxha u shpreh se skuadra e tij është pa dyshim për titullin kampion, për të cilin pohon se do të jetë një garë e ashpër. Hoxha është i lumtur që ka në krah një lojtar si Arapi dhe shpreson së bashku me skuadrën të arrijë objektivin.

Më në fund ia dolët të fitonit pas një ndeshjeje në Durrës me Skënderbeun…

Zhvilluam një ndeshje të mirë, sidomos pjesën e parë, ku dominuam dhe kishim mundësi të shënonim dy ose tre gola, por u ndëshkuam nga një episod dhe më pas shkoi loja ashtu siç shkoi. Më vjen mirë që u rikthyem te fitorja në një ndeshje të vështirë dhe me një ekip si Tirana. Kjo tregoi se ne kemi kualitet dhe dëshirë për t’u rikthyer te fitorja në momente të vështira.

Keni vuajtur jo pak në fushën e lojës gjatë kësaj fitoreje, që duhet thënë ishte mjaft e rëndësishme…

Nuk besoj se vuajtëm shumë për ta marrë atë fitore. Ishte një fitore e merituar besoj. Pjesën e parë zhvilluam një lojë shumë të mirë. Arritëm edhe të shënonim dhe menaxhuam rezultatin deri në fund. Tirana nuk është se kishte ndonjë rast të rrezikshëm në pjesën e dytë, por duhet thënë që edhe në kishim shanset tona gjatë 45 minutave të dyta.

Pas atij barazimi në javën e parë, ekipi reagoi. Çfarë ndryshoi në kaq pak ditë?

Siç e thashë, është edhe fillimi i kampionatit dhe normalisht që do të ketë luhatje në lojë. Nuk është se ndryshoi gjë. Thjesht u treguam më të kujdesshëm. Treguam që jo vetëm kemi cilësi, por kemi edhe karakter si ekip, pra që dimë të marrim rezultate aty ku duhet.

Çfarë ka ndryshe kjo Teutë nga sezoni i kaluar?

E mira e kësaj Teute është se nuk ka asgjë ndryshe nga sezoni i kaluar, sepse është po i njëjti grup. Është larguar një lojtar shumë cilësorë si Kallaku. Kemi marrë lojtarë të tjerë cilësorë dhe mendoj që janë përshtatur mjaft mirë me ekipin. Kjo gjë na ka mundësuar që të zhvillojmë lojëra të mira, por jo aty ku duhet. Besoj se pas pauzës së gjatë që kaloi, loja më vonë do të vijë në rritje.

Teuta festa e golit ndaj Tiranes

Duket se afrimet e reja janë përshtatur me ekipin. Ju si mendoni?

Po, janë përshtatur, pasi në Durrës është një klimë shumë e mirë për të gjithë futbollistët që afrohen. Plus edhe ne lojtarët që kemi qenë vjet ua kemi bërë më të thjeshtë. Të ardhurit janë lojtarë me eksperiencë, nuk është se nuk i njihnim, pasi janë lojtarë të Superiores. Janë përshtatur mirë, sepse janë lojtarë që njiheshin edhe më parë. Veç futbollistë të mirë janë dhe tipa pozitivë.

Kohë për pushim s’ka, pasi të enjten luhet Kupa. Si e vlerësoni Kastriotin dhe a është Kupa synim këtë sezon?

Shyqyr që nuk ka pushim (qesh), pasi ndenjëm një kohë të gjatë pushim dhe mezi po i prisnim këto ndeshje. Kastriotin e vlerësojmë maksimalisht, pasi ka një ekip që luan me shumë dëshirë, por edhe Kupa është një ndër objektivat tanë dhe do ta shohim me shumë vëmendje.

Viti i dytë radhazi që krah jush në mbrojte është Arapi dhe duket se kjo dyshe sjell siguri në prapavijë…

Është fat për mua që kam në krah Arapin. S’kam çfarë të them për të si lojtar, sepse ai e ka vërtetuar shumë herë se çfarë lojtari është. Futbollist që ka pasur suksese në çdo ekip ku ka qenë dhe është vërtet kënaqësi që të luaj krah Arapit. Shpresoj që së bashku me gjithë ekipin, stafin dhe presidencën të arrijmë atë objektiv madhor që i kemi vetes. Të sjellim titullin kampion në Durrës.

Mos ka ardhur koha që t’i jepet fund pritjes së titullit kampion?

Mendoj që është një kampionat shumë i vështirë. Normalisht që ne jemi për titull me grupin që kemi, por shoh një kampionat shumë të vështirë. Unë shikoj pesë ekipe që nuk kanë shumë diferenca me njëri-tjetrin. Besoj që diferencën do ta bëjnë episodet dhe përqendrim që do të tregojnë lojtarët çdo 90 minuta në çdo ndeshje. Unë mendoj që mundësitë i kemi, pasi kemi lojtarët me eksperiencë. I kemi lojtarët e rinj më dëshirë dhe kualitet.

Kemi një staf të mirë, presidenca na ka mbështetur për çdo gjë. Ne do të bëjmë të pamundurën që ta sjellim këtë trofe të shumëpritur në Durrës për tifozët durrsakë dhe qytetarët e Durrësit pasi e meritojnë. Një qyteti kaq të madh i duhet një titull kampion pas Kupës dhe Superkupës. Por, që të shkojmë te trofeu, çdo ndeshje duhet ta shohim si trofe. Vetëm kështu mund të arrimë qëllimin tonë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"