Tirana, Sefa probleme me kartonin, mesfushori nuk ka ende lejen e kalimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2015 | 18:24

Tirana, Sefa probleme me kartonin, mesfushori nuk ka ende lejen e kalimit

sefaJetmir Sefa ka probleme me kartonin. Transferimi i mesfushorit të avancuar, i cili prej afro një jave i është bashkuar Tiranës, ende nuk mund të quhet zyrtar. Leja e kalimit po vonon gjithçka. Klubi i Laçit disponon kartonin e tij dhe nga burime të sigurta pranë bardhebluve, si dhe bardhezinjve mësohet se ata kërkojnë 3 milionë lekë të vjetër për ta lënë të lirë futbollistin. Pritet që me rikthimin e kurbinasve nga Portugalia, ku janë duke zhvilluar edhe fazën, të marrë zgjidhje kjo çështje. Megjithatë, kur kanë mbetur edhe 8 ditë nga rifillimi i kampionatit, mendohet se kjo situatë nuk do të bëhet pengesë për kalimin e tij te Tirana. Një gjë është e qartë: pas akordit, firma do të vijë vetëm pasi lojtari të marrë kartonin. Futbollisti 27-vjeçar është një produkt i bardhebluve dhe pas 5 vitesh mungesë ai rikthehet në shtëpi. Mesfushori pjesën e parë të këtij edicioni e mbylli për llogari të Laçit, megjithatë, me hapjen e merkatos së dimrit palët konfirmuan divorcin. Sefa është prezantuar te Tirana si afrimi numër katër, pas zyrtarizimit të Kahatës, Muzakës dhe Ristevskit. Lojtari do të jetë një tjetër alternativë e shtuar për trajnerin Magani në repartin e mesit të fushës, për të përballuar pjesën e dytë të sezonit, të cilin Tirana synon që ta përfundojë me një trofe të fituar, ndaj skuadra do të kompletohet dhe plotësohet në çdo repart.
Merkato – Te Tirana e quajnë të mbyllur këtë merkato, të paktën kështu kanë deklaruar zyrtarisht. Sikundër dihet, i vetmi që pritet t’i bashkohet tashmë grupit është Francis Kahata. Mesfushori është pajisur me vizën shqiptare dhe pritet të vijë brenda pak ditësh. Sakaq, një tjetër pistë e hapur është edhe ajo e Ditmar Bicajt, i cili është në pritje të divorcit me iranianët e Traktor Sazi. Lojtari e ka konfirmuar hapur se, me zgjidhjen e kësaj çështjeje, do t’i bashkohej Tiranës, me drejtuesit e së cilës ka pasur vazhdimisht kontakte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"