Tirana rikthehet në Superiore, ja “çuditë” e sezonit në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2018 | 21:28

Tirana rikthehet në Superiore, ja “çuditë” e sezonit në Kategorinë e Parë

Tirana i dha fund si kampione sezonit më të errët në histori. Zyrtarisht u ngjitën në Superiore, duke hedhur pas krahëve këtë vit të sikletshëm, ku nuk munguan as “çuditë”. Morën 4 kupa edhe pse ranë; kanë shënuar me bollëk, por asnjë prej lojtarëve nuk u shpall kryegolashënues i kampionatit; “mbreti” i asisteve nuk është një fantazist, por një gjigand i sulmit.

tIRANA

Ndeshjet – Plot 35 ndeshje zhvilloi Tirana për këtë sezon futbollistik, përfshi këtu jo vetëm kampionatin, por edhe Ligën e Europës, Superkupën dhe Kupën e Shqipërisë. Bilanci është më shumë se i kënaqshëm, pasi siguruan 25 fitore, barazuan 5 dhe humbën po aq.

Golat – Tirana u konvertua në një “makineri” golash këtë vit, ndërsa aventurën në inferiore e mbylli me 66 gola të shënuar dhe vetëm 13 të pësuar.

Kupat – Tirana i jep fund sezonit më të errët në histori, duke fituar 4 kupa. Gjithçka nisi me Kupën e Shqipërisë, ku thyen me shifrat 3-0 Skënderbeun, kaluan te Superkupa ku mposhtën Kukësin me golin e Mavejesë. Këto i përkisnin vitit 2017, ndërsa në 2018-ën morën fillimisht Kupën simbolike të Grupit B dhe dje atë të Kategorisë së Parë.

Sulmuesi – Bedri Greca ishte surpriza e sulmit. Fillimisht u përfolën Sentamu e Ngoo, por në fund ishte pikërisht numri 7 i bardhebluve që bëri befasinë, duke realizuar 14 gola, përfshi edhe dopietën e finales me Kastriotin.

Asistet – Majkëll Ngoo mbetet “mbreti” i asisteve te Tirana me 7 të tillë, megjithatë i është afruar ndjeshëm edhe Alket Çelhaka me një më pak, ndërsa Asion Daja vetëm në fazën e fundit ka shkuar në 5 asiste.

Afrikanet e Tiranes

Dopietat – Tirana është e “fiksuar” pas dopietave dhe në 26 javë realizuan 9. Në krye të listës është Bedri Greca, me 4 të tillë (Tirana-Apolonia 5-1; Bylis-Tirana 0-2; Tirana-Bylis 2-1; Tirana-Kastrioti 2-0), pas tij vjen Sentamu me 2 (Pogradeci-Tirana 3-0; TiranaNaftëtari 3-0; Tirana-Pogradeci 6-0, ku bëri “tris” në fakt”). Ndërsa vlen të kujtojmë që në listë është edhe Muçi me Ngoonë që kanë nga një dygolësh (Tirana-Apolonia 5-1 dhe Tirana-Tomori 3-1)

Penalltitë – Tetë penallti “pro” dhe dy kundër, është ky bilanci në 26 javë. Në të dyja rastet kur janë ndëshkuar me penallti, ndeshjet janë mbyllur në barazim, ndërsa nga pika e bardhë për bardheblutë kanë shënuar 4 herë Ngoo, 3 herë Karabeci dhe 1 Greca.

Titullarët – Erando Karabeci është lojtari i vetëm që i ka luajtur të 26 ndeshjet me Tiranën, por jo me minutazh të plotë. Ai numëron vetëm 2103 nga 2340. Pas tij vijnë Maveje, Hoxhallari, Daja, Kërçiku dhe Lika.

Zëvendësues – Alket Çelhaka është lojtar që e nis lojës më së shumti nga stoli. Ai në 9 ndeshje është futur si zëvendë- sues, duke marrë 981 minuta.

Ndërrimi – Asion Daja dhe Majkëll Ngoo janë “kampionët” e ndërrimeve. Në plot 11 raste u është dashur që të lënë fush- ën për t’i lënë vendin lojtarëve të tjerë që janë në stol.

Kartonët – Marvin Turtulli është lojtari që ndëshkohet më shumë te Tirana, në total ka marrë 6 të verdhë, pas tij vijnë Ngoo, Kërçiku dhe Sentamu që kanë marrë nga 4. Me të kuqin e kanë pasur raportin mirë këtë vit, pasi nuk kanë marrë shumë të tillë. Çelhaka ka marrë dy të verdhë që iu konvertuan në të kuq, si edhe Maveje të kuq direkt.

“Veterani” – Ilion Lika është lojtari më i vjetër i Tiranës, por mosha tek ai nuk ka ndikuar këtë vit, pasi edhe pse 38-vjeçar, shpeshherë është bërë shpëtimtar me pritjet e tij.

Buxheti – Plot 600 mijë euro i kushtoi Tiranës ngjitja në Superiore, kur dihet që pagat e muajit shkojnë në 60 mijë euro. Ndoshta shifrat mund të duken të ekzagjeruara dhe sidomos kur bën krahasim me skuadrat rivale, megjithatë klubi nuk mund t’ia lejonte vetes që të mbetej më shumë se 365 ditë në nivel inferior.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"